Kështu do të duket Spitali i Prishtinës
BKT
Foto: Përparim Rama/ Facebook
Kosovë

Kështu do të duket Spitali i Prishtinës

Jeton Musliu / RTKlive

Spitali i Prishtinës pritet të ketë pamje moderne. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi ‘Projektin e Fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës’.

Rama  në llogarinë e tij në Facebook,  publikoi pamjen se si do të duket ky spital, në të cilin siç tha, do të ofrohen shërbime gjithëpërfshirëse spitalore të përzgjedhura.

“Kryeqyteti ka nevojë të ketë spitalin e vet, në të cilin do të ofrohen shërbime gjithëpërfshirëse spitalore të përzgjedhura për të akomoduar nevojat e qytetarëve në raport me shqetësimet dhe sfidat shëndetësore në të cilat hasin”, deklaroi kryetari i Prishtinës.

Ai shkroi se për këtë janë mbledhur në tryezë bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, ministrin e Shëndetësisë,  Rifat Latifi, ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila AlShamsi, koordinatorin e TIKA-s turke në Kosovë, Cihan Dinçer dhe miq e partnerë të tjerë.

“Kjo,  për të shpalosur ‘Projektin e Fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës’, të realizuar nga Kompania ICME”, deklaroi kryetari i Prishtinës.

Prishtina është e vetmja qendër rajonale në Kosovë që nuk ka spital të vetin, ashtu siç e kanë Peja, Prizreni, Mitrovica, Gjakova, Gjilani e Ferizaj.

Në këtë situatë, të gjitha shërbimet sekondare kryhen në QKUK.


MË SHUME NGA Kosovë