Hulumtim: Politikani, institucioni e shteti që preferojnë kosovarët
Jeton Musliu / RTKlive
Në hulumtimin prej 215 faqesh, Qendrës për Hulumtime të Brendshme të kryer për vendet e Ballkanit perëndimor, duke përjashtuar Shqipërinë, nxirren të dhëna nga anketa e opinionit publik edhe për cështje të tjera.
Kjo qendër e ka kryer këtë hulumtim për Institutin Ndërkombëtar Republikan me seli në Washington.
Aty janë paraqitur të dhëna të qytetarëve për çështje të ndryshme si ekonomia, siguria, politika, mediat, duke përfshirë periudhën 17 janar-4 mars 2022 me një margjinë gabimi prej 2.9 % si dhe me të dhëna krahasuese për vitin 2020 me vitin 2022.
Hulumtimi përfshinë edhe respodentë të ndryshëm si nga aspekti gjinor, etnik, të moshës, e fetar. Për këtë hulumtim në total janë përfshirë 1.486 qytetarë të Bosnje e Hercegovinës, 1.517 të Kosovës, 966 të Malit të Zi, 1.472 të Maqedonisë së Veriut e 1.481 të Serbisë.
Në rastin e Kosovës, anketa ka përfshirë 1,350 shqiptarë e 123 serbë.
Cilit politikan ose person publik i besoni më shumë?
Albin Kurti sipas këtij hulumtimi është i pari me 28%.Megjithatë interesant është fakti se menjëherë pas tij, 27% e respodentëve janë përgjigjur se asnjëri nga politikanët nuk është i besueshëm. Më pas, radhitet Vjosa Osmani me 15%, pastaj Kadri Veseli me 9%, Hashim Thaçi me 7%, Lumir Abdixhiku me 6%, Ramush Haradinaj 4%, Glauk Konjufca 4%, Memli Krasniqi me 3%, Fatmir Limja 2%, Bedri Hamza 2%.
Deri në çfarë mase i besoni ose nuk u besoni institucioneve si më poshtë?
Në këtë pyetje, 47% i besojnë shumë ushtrisë, pastaj 44% policisë,e menjëherë pas tyre, institucioneteve fetare me 35%, pason kryeministri me 28%, e presidentja me 24%.
Nëse besimi i respodentëve ndahet sipas përkatësisë etnike, atëherë rezulton se shqiptarët më së shumti i besojnë policisë me 86% pasuar me ushtrinë me 83%, e menjëherë pas tyre vijnë institucionet fetare me 80%, ndjekur nga besimi në presidenten me 63%, pasuar me kryeministrin me 61%. Kurse tek serbët e Kosovës, 74% e tyre kanë besim në institucionet fetare, 38% tek policia, 27% ne ushtri, 26% në presidenten e 25% në kryeministrin.
Në pyetjen se cili shtet apo union është donatori më i madh për vendin, kosovarët mendojnë se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas hulumtimit rezulton se 62% e të anketuarve besojnë se SHBA është donatori më i madh, pasuar me 15 për BE-në, që pasohet nga Gjermania me 13%, Britania e Madhe me 3%, Turqia me 2%, Rusia me 1%. Por në këtë pyetje, 11% kanë refuzuar të përgjigjen.
Kur vjen cështja tek preferencat që kanë kosovarët për vendet e ndryshme, rezulton se Gjermania kryeson me 76%, pasuar nga SHBA me 81%, Shqipëria me 67%, Turqia me 46%, Kroacia 27%, Maqedonia e Veriut 10%, Rusia 8% dhe Serbia 8%. Kina 7%, Mali i Zi 7%, Bosnja e Hercegovina 6%, Bullgaria 5%. Megjithatë,80% e të anketuarve kanë deklaruar se vendi më jo i preferuar është Serbia.
Në pyetjen se cilin shtet kosovarët e konsiderojnë si më të rëndësishëm nga mund të jenë të kërcënuar politikisht, në vendin e parë radhitet Rusia me 69%, pastaj Kina me 54%, pasuar nga SHBA me 20%, ndjekur nga Gjermania me 18% dhe Turqia me 17%.
Sa i përket ndikimit që shtetet e tjera mund të kenë në Kosovë, kosovarët mendojnë se në mënyrë pozitive, vendi ndikohet më së shumti është Shqipëria me 62%, pasuar nga Kroacia me 26%, Maqedonia e Veriut me 9%, Serbia me 6%, Mali i Zi me 5%, Bosnja e Hercegovina 4% e Bullgaria 4%. Sidoqoftë, hulumtimi nxjerr në pah se 77% e kosovarëve mendojnë se Serbia ndikon shumë keq në Kosovë, pasuar nga Bullgaria, Bosnje e Hercegovina e Mali i Zi.
Nëse shikohet nga aspekti etnik, mbi opinionin që kanë respodentët mbi ndikimin negativ në Kosovë në asketin politik të vendeve të tjera, atëherë rezulton se 91% e shqiptarëve kanë opinion se Serbia ndikon negativisht, kurse mendim të tillë kanë 23% e serbëve. Pasojnë Bosnja e Hercegovina ku shqiptarët besojnë se ky shtet 57% ndikon negativisht kurse 27% e serbëve mendojnë njësoj. Sidoqoftë, 58% e serbëve mendojnë se Shqipëria ndikon negativisht në Kosovë, krahasuar me 4% të shqiptarëve që e mendojnë një gjë të tillë.
Gjatë ditës, RTKlive do të sjellë të dhëna të tjera të këtij hulumtimi të opinionit publik. Cili lider botëror është më i preferuar për kosovarët? Cilën politikë të jashtme të ngjashme me një vend tjetër, duhet ta ndjekë Kosova?Cili është opinioni i kosovarëve për iniciativën “Ballkani i hapur”? Si janë përgjigjur shqiptarët e si serbët?A shihet nacionalizimi si problem për vendin? Kënd e konsiderojnë kosovarët përgjegjës për rritjet e tensioneve etnike?























