Hulumtim: Kosovarët s`duan “Ballkan të Hapur”, duan Biden, i besojnë RTK-së
Jeton Musliu / RTKlive
Në hulumtimin prej 215 faqesh, Qendrës për Hulumtime të Brendshme të kryer për vendet e Ballkanit perëndimor, duke përjashtuar Shqipërinë, nxirren të dhëna nga anketa e opinionit publik edhe për çështje të tjera.
Kjo qendër e ka kryer këtë hulumtim për Institutin Ndërkombëtar Republikan me seli në Washington. Në raport janë paraqitur të dhëna të qytetarëve për çështje të ndryshme si ekonomia, siguria, politika, mediat, duke përfshirë periudhën 17 janar-4 mars 2022 me një margjinë gabimi prej 2.9 % si dhe me të dhëna krahasuese për vitin 2020 me vitin 2022.
Hulumtimi përfshinë edhe respodentë të ndryshëm si nga aspekti gjinor, etnik, të moshës, e fetar. Për këtë hulumtim në total janë përfshirë 1.486 qytetarë të Bosnje e Hercegovinës, 1.517 të Kosovës, 966 të Malit të Zi, 1.472 të Maqedonisë së Veriut e 1.481 të Serbisë.
Në rastin e Kosovës, anketa ka përfshirë 1,350 shqiptarë e 123 serbë.
Bazuar në këtë hulumtim, rezulton se lideri botëror më i preferuar tek kosovarët është presidenti amerikan Joe Biden, me 65%, pasuar nga ai turk, Recep Tayyip Erdogan me 40%, i ndjekur nga kryeministri Albin Kurti me 40%, ndjekur nga ai britanik, Boris Johnson me 38% e pasuar nga presidenti francez Emanuel Macron me 20%.Ndërkohë, listës si presidenti fare preferuar për kosovarët është Vladimir Putin i Rusisë me 69%, pasuar nga ai serb, Aleksandar Vuçiq me 66%, ndjekur nga Milorad Dodik i Bosnje e Hercegovinës me 43% e ai kinez, Xi Jingping me 39%.


Sa i përket politikës së jashtme që vendi duhet ndjekur, 84% e shqiptarëve në këtë hulumtim kanë deklaruar se Kosova duhet ta ndjekë linjën sikurse Shqipëria. Në anën tjetër, 27% e serbëve të Kosovës kanë deklaruar se duhet ndjekur kursi i politikës së baraspeshës mes BE-së dhe Rusisë.

Sa i përket mbështetjes ose jo të iniciativës për “Ballkanin e Hapur”, 37% e shqiptarëve të Kosovës, tërësisht nuk e mbështesin pjesëmarrjen e vendit, kurse vetëm 14% e mbështesin plotësisht. Ndërkohë, këtë iniciativë, 37% e serbëve të Kosovës e mbështesin tërësisht kurse 29% e tyre fare nuk e mbështesin.
Kur flitet për sigurinë, 65% e shqiptarëve të Kosovës janë pak a shumë të kënaqur e 17% janë shumë të kënaqur. Kurse tek serbët e Kosovës, 49% e tyre fare nuk janë të kënaqur, kurse 9% janë shumë të kënaqur.
Sa i përket asaj se kush është përgjegjës për shkaktimin e tensioneve etnike, 34% e shqiptarëve të Kosovës mendojnë se janë politikanët, kundrejt 52% e serbëve që e mendojnë të njëjtën gjë. Pasojnë grupet e ndryshme etnike, që ndiqen nga mediat, fuqitë e jashtme religjionet etj.
Lidhur me atë që në të ardhmen, si duhet të jetë relacioni i Kosovës me NATO-n, 75% e kosovarëve e mbështesin anëtarësimin e plotë të vendit në këtë aleancë ushtarake. Nga pesë vendet ku është kryer anketimi, qytetarët e Serbisë e mbështesin më së paku anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Vetëm 3% e tyre e duan këtë kurse 46% nuk duan asnjë marrëdhënie me aleancën.
Në pyetjen nëse një referendum do të mbahej sot në vend për anëtarësim ose jo në Be, si do të votonit, rezulton se 93% e kosovarëve do të ishin pro anëtarësimit. Me këtë përqindje, vendi kryeson listën e pesë vendeve ku është kryer anketa. Përqindja më e ulët është në Serbi, ku vetëm 50% e të anketuarve kanë deklaruar se do të votonin pro anëtarësimit të vendit në BE.
Anketimi është kryer edhe për preferencën që qytetarët kanë ndaj mediave të ndryshme. Të pyetur se janë të interesuar për informacionet në media që transmetohen mbi politikën, rezulton se kosovarët ndjekin më së shumti informacionet në këtë fushë. 12% e të anketuarve kanë thënë se janë shumë të interesuar mbi lajmet për politikën, por 51% e tyre kanë thënë se pak a shumë janë të interesuar.
Në pyetjen se nga cila platformë mediale, respodenti informohet më shumë për zhvillimet politike, 55% e kosovarëve kanë thënë se burim primar e kanë televizionin, 21% mediat sociale e vetëm 2% radion. Në këtë rast, përqindja e ndjekjes së lajmeve nga politika nëpërmjet rrjeteve social ka shënuar rritje nga 16% që ishte në vitin 2020 kurse ka shënuar rënie për televizionin pasi dy vjet më parë ishte 67% për qind.
Respodentët janë pyetur se nga cilat media konkretisht i konsiderojnë të besueshme për raportimet e tyre mbi zhvillimet politike. Bazuar në këtë hulumtim rezulton se vendin e parë e ka RTK me 36%, pasuar nga KTV me 31%, RTV21 29%, Klan Kosova 27%, TV Dukagjini 17%, Facebook 13%, T7 10%, telegrafi 7%, ATV 7%, Gazeta Express 5% asnjë 10% kurse kanë refuzuar të përgjigjen 7%.
























