Në Gjilan më 18 korrik nis faza e parë e dezinsektimit
Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan njofton se më 18 korrik do të fillojë faza e parë e dezinsektimit hapësinor dhe do të zgjasë deri më 24 korrik.
Drejtoresha e Shëndetësisë, Aurorë Osmani, ka njoftuar se dezinsektimi do të bëhet nga ora 19:30 deri në ora 24:00, ndërkaq ka kërkuar nga qytetarët që gjatë kësaj kohe t’i mbajnë dritaret e mbyllura që të mos futen mushkonjat (insektet) brenda.
“Dezinsektimi fillon nga lagja “Zabeli” gjegjësisht nga kolektori ku zakonisht është burim i mushkonjave dhe insekteve tjera, për të vazhduar përgjatë lumit Mirusha në të dy anët e tij deri afër hotelit Kristal. Po ashtu, do të përfshihen lagjet Reshat Ymeri e Dheu i Bardhë. Në ditët në vijim do të përfshihen lagjet tjera si, Dardania, Kodra e Dëshmorëve, Arbëria si dhe tërë lagjet e hapësirat tjera të qytetit”, ka thënë Osmani.
Osmani ka theksuar se në zonat rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të mushkonjave (insekteve) sidomos rreth lumenjve, do të bëhet dezinsektimi në këto fshatra: Malishevë, Uglar, Pogragjë, Dobërçan, Përlepnicë, Livoçi i Epërm, Livoç i Poshtëm, Cërrnicë, Lladovë, Zhegër, Llashticë dhe Velekincë.
Në rast të kushteve të pafavorshme klimatike (shi, erë e fortë) punët do të shtyhen deri në ditën e ardhshme me mot të mirë dhe vazhdon sipas orarit të paraparë.























