Temperaturat e larta vazhdojnë, bëhet thirrje për kujdes (VIDEO)
Elmine Osmani/ RTK
Jo veç Covidi, edhe i nxehti i madh po i mundon qytetarët. E mjekët i paralajmërojnë qytetarët se nga ky i nxehtë duhet të kenë kujdes më të shtuar. Por, ata thonë se kanë pak vende për t`u freskuar.
Temperaturat e larta në vend po bëjnë që disa qytetarë të gjejnë sadopak freski në parkun e
Tokbashqes, në Prishtinë. Disa të tjerë, kryesisht të rinj, vapën po e kalojnë në Pishinën e Gërmisë.
Megjithatë jo të gjithë qytetarët patën mundësi të relaksoheshin në parqe e pishina. Disa dolën për të marrë pensionin e disa në punë.
"Unë sot nuk kisha dalë por shkova e mora pensionin. Jo, jo për çdo ditë nuk dalim as në qytet,
rrijmë nën hije e në shtëpi", tha njëri nga qytetarët.
"Tash është vera, ne që jemi plakë, faj nuk na ka askush. Dola pak te një shok e po shkoj duke
pushu ngadale se temperaturat për pleq dihet", shtoi tjetri qytetar.
"Nëse nuk mbrohemi atëherë mund të ketë shumë pasoja. Tension nëse ka dikush nuk guxon me dalë. Faktikisht edhe unë po iki, kam dalë veç me ngrënë pak bukë", u shpreh një qytetar.
Ndonëse meteorologët kanë paralajmëruar temperatura edhe më të larta për ditët në vazhdim,
mjekët rekomandojnë kujdes të shtuar, në veçanti për personat e moshuar. Doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Ajtene Pajaziti, thotë se të gjithë qytetarët duhet t'i shmangen ekspozimit në diell sidomos në mesditë.
"Këto ditë duhet me pasë kujdes edhe në ushqim dhe lëngje. Ushqimi nuk duhet të jetë shumë
kalorik, nuk duhet të përdoren ushqime të shpejta, të fërguara por duhet të jenë ushqime të ziera. Të përdoren sa më shumë pemë, perime, ujë. Brenda ditës duhet të pihen dy litra ujë ose si masë tetë gota edhe atë në formë të lëngjeve, çajërave apo supave", tha ajo.
Doktoresha Pajaziti ka bërë të ditur që si pasojë e temperaturave të larta është rritur numri i
personave që po kërkojnë trajtim në këtë qendër.
"Për shkak të temperatutrave të larta ka ardhë deri te dehidrimi, rritja e temperaturës. Për shkak të konsumimit të ujit të ftohtë me akull, ka ardhë edhe deri te faringite të ndryshme, barkqitje e vjellje, shtoi ajo".
Apel për qytetarët përmes një postimi në rrjete sociale ka bërë edhe drejtori i QKMF-së, Bujar
Gashi, i cili thotë se personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rreze të diellit në
intervalin kohor nga ora 10 deri në orën 17.























