Në Lajmet 19:30, kronikë për 236 mijë dosje pa epilog në Gjykatat e Kosovës
Jeton Musliu / RTKlive
Mesatarisht në Kosovë, rezulton se gati çdo i shtati person ka një lëndë të pazgjidhur në gjykatat e vendit.
Kjo, nëse llogaritet numri i dosjeve të pazgjidhura që presin epilog, me numrin e banorëve të Kosovës, bazuar në regjistrimin zyrtar të vitit 2011.
Një temë e tillë do të trajtohet sonte në Edicionin Qendror të Lajmeve në orën 19:30 në RTK.
Gazetarja Donika Sherifi do të sjellë të dhëna zyrtare sipas të cilave, në raste të ndryshme si konteste civile apo ato penale, në total në të gjitha nivelet e gjykatave në shkallë Republike, llogaritet të jenë 236 mijë e 329 raste që presin zgjidhje.
Në këtë mënyrë, sistemi i drejtësisë në vend llogaritet të jetë shumë i ngarkuar e për pasojë edhe shumë i ngadalshëm në zgjidhjen e rasteve.
Kjo meqë bazuar në të dhënat zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, mesatarja e ngarkesës së gjyqtarit me lëndë të reja për një muaj, për gjashtë muajt e parë të këtij viti, është e lartë.
Në Gjykatën Supreme, një gjyqtar ka mesatarisht 7.8 raste në muaj, në Dhomat e Posaçme 9.6, në Gjykatat e Apelit 28.2, në Gjykatat Themelore 31.4 dhe në Gjykata Themelore për Kundërvajtje 69.7 raste në muaj.























