Gati për fillim të regjistrimit të automjeteve me targa RKS
BKT
Foto: MPB
Kosovë

Gati për fillim të regjistrimit të automjeteve me targa RKS

Jeton Musliu / RTKlive

(E plotësuar) Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal  Sveçla takoi koordinatorët e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve, nga të cilët mori informacionet e fundit se gjithçka është gati për regjistrimin e mjeteve me targa RKS.

Ministri Sveçla, në prag të fillimit të regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në ato RKS, ka mbajtur sot takim me të gjithë koordinatorët e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.

Takimi ka pasur për qëllim njoftimin për përgatitjet e fundit që është duke i bërë Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me këtë proces, ku u theksua se tashmë gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit të mjeteve me targa RKS.

Ministri Sveçla ofroi mbështetjen e plotë të tij dhe të Qeverisë, më qëllim të realizimit të këtij objektivi, që është në të mirë të të gjithë qytetarëve, sepse përmirëson sigurinë në trafik, ulë numrin e veturave pa regjistrim dhe përmirëson sigurinë në përgjithësi.

Nga fundi i javës së kaluar, MPB ka filluar fushatën informuese duke njoftuar qytetarët se nga dita 1 gusht deri më 30 shtator 2022 do të fillojë procesi i regjistrimit të targave ilegale në RKS në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Gjatë kësaj periudhe qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga shumë lehtësira për kthimin e automjeteve në targat e regjistrimit RKS.

Gjithçka gati për zbatimin e reciprocitetit ndaj shtetasve të Serbisë

Nga 1 gushti Kosova nuk i lëshon në kufi shtetasit me dokumente të Serbisë Nga e hëna, shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një ‘dokument hyrje/dalje’, pra shtetasit e Serbisë nuk do të mund të kalojnë me dokumentet e tyre.

Me anë të një njoftimi, Qeveria e Kosovës tregon se qytetarët serbë, nga 1 gushti, sapo të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë nga mbledhja e 85 e saj, ju rikujtojmë se nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kosova brenda territorit të saj i bën të pavlefshme dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe, si masë reciprocitetit ndaj shtetit që nuk i njeh dokumentet identifikuese të lëshuara nga Kosova.

Qeveria ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletëdeklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.


MË SHUME NGA Kosovë