Mungesa e infrastrukturës sfidon vizitorët ta eksplorojnë Kosovën - Video
BKT
Kosovë

Mungesa e infrastrukturës sfidon vizitorët ta eksplorojnë Kosovën - Video

Myrvete Axhami / RTK

Turizmi malor vazhdon të mbetet i preferuar për qytetarë të shumtë vendorë e të huaj, por infrastruktura në disa vende i pamundëson vizitorët që t’i eksplorojnë vendet më të bukura të Kosovës.

Gjatë muajve të verës, vizitorë vendas dhe të huaj preferojnë të eksplorojnë natyrën e Kosovën. Ndërsa rajoni i Prizrenit me Malet e Sharrit mbesin vendet më të preferuara për vizitorë. Në trekëndëshin që lidh Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, banorët e rajonit të Dragashit me mjetet vetanake kanë përfunduar rrugën 16 kilometërshe të Strazimirit, por ka mbetur vetëm edhe një kilometër deri në kufi. Vizitorët vijnë këtu me shpresën se do të kenë mundësi të kalojnë edhe në pjesën tjetër të vargmaleve të Sharrit, por për momentin automjetet e tyre ndalojnë aty.

Është hera e parë që personalisht e vizitoj këtë pjesë të Maleve të Sharrit . Iu kisha propozuar të gjithëve që të paktën një herë në vit të vizitohet kjo bukuri masive natyrore. Kufijtë janë gjithmonë një pengesë për komunikimin e lirshëm të popujve . Kjo hapësirë duhet të unifikohet për të gjithë. Ky aks rrugor mbetet shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe bashkëpunimin e banorëve në këtë vend malor”, ka theksuar vizitorja Jelena Vukiçeviq.

 “Pika kufitare është hapur qysh në 2003, por nuk është funksionale. Tash prapë sivjet për një apo dy muaj hapet por vetëm për popullatën lokale”, ka thënë Sadik Idrizi.

Komuna e Dragashit është zotuar se atë pak rrugë që ka ngelur pa asfaltuar në territorin e Kosovës do ta përfundojë këtë vit, ndërsa është në bisedime edhe me komunën e Mavrovës për pjesën tjetër të Maqedonisë së Veriut.

“Nga ana e palës maqedonase ekziston një neglizhencë. Në bazë të informatave që kemi ata planifikojnë që vitin e ardhshëm të fillojnë punimet për ndërtimin e kësaj rruge. Ne planifikojmë ta vizitojmë komunën e Mavrovës dhe të takohemi me kryetarin dhe të bisedojmë në lidhje me këtë çështje”, ka theksuar Behxhet Xheladini, kryetar i Dragashit.

Nga opozita në Dragash thonë se projekte të tilla në interes të komunitetit gjithmonë do të përkrahen.

“Prej fillimit, por edhe në 6 muaj e fundit e keni vërejtur se punët e mira gjithmonë i kemi përkrahë. Për këtë arsye edhe buxheti ka kaluar prej anës sonë, me disa vërejtje të cilat janë marrë parasysh”, ka thënë Vehbi Nazifi.

Asfaltimi i 27 kilometrave të rrugës së trasuar nga ana e Maqedonisë së Veriut , si dhe një pikë legale e kufirit në këtë trekëndësh gjeografik në mes të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do të zhbllokonte kalimin legal të prodhimeve vendorë, duke çuar kështu në zhvillimin ekonomik të familjeve të kësaj ane që natyra e egër i lë të bllokuar me muaj të tërë.


MË SHUME NGA Kosovë