Turistë të shumtë nga vendi dhe bota po e vizitojnë qytetin e Prizrenit
Mirvete Axhami/ RTK
Turistë të shumtë nga vendi dhe bota ia mësyjnë qytetit të Prizrenit. Ata mbeten të kënaqur me resurset që ofron qyteti për vizitorët. Komuna e Prizrenit thotë se ka marrë të gjitha masat për të pritur mysafirët që do të jenë kësaj vere.
Uta dhe Filipos janë për herë të parë në Prizren, kanë dëgjuar për ngjarjet kulturore si Doku Fest, që organizohen në këtë qytet dhe deshën ta shohin nga afër atë. U ngjitën në kala për të parë çdo detaj që ofron kjo pikë e një qyteti piktoresk.
Përveç turistëve të huaj, Prizreni mbetet pikë e frekuentuar edhe nga vizitorët që vijnë nga Shqipëria.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë për RTK se kanë bërë përgatitjet e duhura për të pritur numrin e madh të vizitorëve që tashmë janë konfirmuar të marrin pjesë në eventet si java e teatrit dhe DokuFesti.
Kryetari Totaj gjithashtu fton organizatorët e festivaleve, drejtues të dikastereve komunale dhe policinë e Kosovës që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e të gjithë aktiviteteve që organizohen këtë verë në Prizren.























