Nagavci: Paralajmërimi nga SBASHK-u për grevë, është i papranueshëm
BKT
Foto: Arbërie Nagavci/Facebook
Kosovë

Nagavci: Paralajmërimi nga SBASHK-u për grevë, është i papranueshëm

Jeton Musliu / RTKlive

Sa më shumë që afrohet data për fillimin e vitit të ris shkollor e që është 1 shtatori, aq më tepër shtohen replikat në distancë mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit e Shkencës së Kosovës (SBASHK).

Ditë më parë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, deklaroi nëse Qeveria e Kosovës nuk plotëson kërkesat e mësimdhënësve e që kanë të bëjnë kryesisht me rritje pagash, atëherë greva në arsim është e pashmangshme.

Në lidhje me këtë çështje, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 - 2023 është i papranueshëm.

“Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë”, deklaroi Nagavci.

Sipas saj, rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë dhe duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të ketë ndryshime pozitive.

“Ata që ja duan të mirën vendit, të ardhme më të mirë për fëmijët e suksese të përbashkëta duhet të ftojnë për angazhim dhe jo për greva, bllokada e pengesa”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Ministrja e Arsimit u shpreh se si Qeveri e në Ministri të Arsimit, po punohet  me intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet, në legjislacion, përmirësim të infrastrukturës shkollore, mbështetje për mësimdhënësit e nxënësit.

“ Edhe legjislacioni që i rregullon pagat dhe të tjera po bëhet dhe do të bëhet si më mirë të jetë e mundshme”, deklaroi ajo.

Nagavci u shpreh se koha është për punë, e mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë t'u mohojë fëmijëve të drejtën për shkollim.


MË SHUME NGA Kosovë