Historiku i marrëveshjes për lëvizje të lirë, që vetëm e tillë nuk ishte
Foto: RTKLive
Kosovë

Historiku i marrëveshjes për lëvizje të lirë, që vetëm e tillë nuk ishte

Jeton Musliu / RTKlive

Më 19 tetor 2012, ishte Hashim Thaçi në cilësinë e Kryeministrit të  Kosovës që u takua në Bruksel me Kryeministrin e Serbisë në atë kohë, Ivica Daçiq.

Këtu kishte filluar dialogu politik i cili u quajt dialogu për normalizim, i udhëhequr nga krerët e ekzekutivit të të dyjave shteteve dhe i lehtësuar nga BE.

Ndërkohë, 6 muaj më vonë, me 19 prill 2013, u nënshkrua marrëveshja e parë në nivelin politik mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut. Protagonistët ishin të njëjtë.

Ajo ishte marrëveshja 15 pikëshe, e qëllim kishte normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Në fakt, procesi i dialogut në nivel teknik kishte filluar në vitin 2011. Takimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u mbajtur me 9 mars 2011 në të cilin Republika e Kosovës përfaqësohej nga Edita Tahiri, zëvendës kryeministre dhe ministre për dialogun në qeverinë e atëhershme të Republikës së Kosovës, ndërsa delegacioni serb udhëhiqej nga Borko Stefanoviq, i emëruar special i qeverisë së Serbisë për dialog.

Gjatë fazës së parë të dialogut, deri në fund të vitit 2012, u arritën 7 marrëveshje. Ato ishin për lëvizjen e lirë, menaxhimin e integruar të kufirit/marrëveshja e IBM-it, regjistrat kadastral, regjistrat civil, përfaqësimin rajonal, njohjen e diplomave, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë  të vulave doganore.

Që nga ajo kohë, u nënshkruan edhe shumë marrëveshje të tjera, prej të cilave disa u zbatuan, disa pjesërisht e shumë të tjera mbetën vetëm të firmosura. Kështu, një prej tyre është edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e arritur në vitin 2011.

Në këtë marrëveshje ishte precizuar se secila palë mund të aplikojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokument të shkruar hyrje/dalje për personat nga vendi tjetër. Për shkak se Serbia nuk pranon pavarësinë e Kosovës, qëllimi ishte të paraqitet neutralitet.

Kështu, që nga viti 2011, Që nga viti 2011,  Serbia ia lëshon çdo shtetasi të Kosovës që futet në territorin e Serbisë një dokument të tillë.

E njëjta marrëveshje parashikonte që në Kosovë të përdoren vetëm targat RKS ose KS. Targat KS, nga shtatori i vitit 2020 nuk lëshohen më nga Kosova, ndërkohë që paraprakisht në vitin 2016, palët ishin pajtuar që targat KS të përdoren edhe për një periudhë pesëvjeçare. Kjo periudhë ka përfunduar në shtatorin e vitit 2021.

 


APR