Ervina Halili, laureate e Çmimit për Demokraci 2021, i ndarë nga KCSF
Kosovë

Ervina Halili, laureate e Çmimit për Demokraci 2021, i ndarë nga KCSF

Muharrem MIftari/RTKlive

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i ndau Çmimin për Demokraci 2021 aktivistes, shkrimtares dhe studiueses së letërsisë, znj. Ervina Halili, për angazhimin e fuqishëm në ruajtjen dhe mbledhjen e arkivit të shpërndarë të ish ndërmarrjes shoqërore “Rilindja”.

Për disa vite me radhë, në mënyrë krejtësisht vullnetare Ervina Halili, ka vazhduar përpjekjet për rilindjen e “Rilindjes”. Ajo ka mbledhur materiale që dokumentojnë një pjesë të rëndësishme të rezistencës intelektuale në Kosovë, ka shërbyer si ndërmjetësuese mes institucioneve për ruajtjen e arkivit, ka stopuar asgjësimin e shumë materialeve, si dhe ka për synim të krijojë një hapësirë dinjitoze për ekspozimin dhe ruajtjen e arkivit të gazetës dhe shtëpisë së parë botuese në Kosovë- “Rilindjes”.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i KCSF-së ka theksuar se Ervina ka punuar për ta ruajtur memorien intelektuale dhe kolektive të ndërmarrjes shoqërore “Rilindja”. “Harresa është e rrezikshme, sidomos kur bëhet fjalë për identitetin kolektiv, sepse na zhduk themelin mbi të cilin jemi ndërtuar, i mirë apo i keq qoftë ai themel, e sidomos na e mjegullon të ardhmen tonë se në cilin drejtim duam të shkojmë ne si shoqëri. Kjo nismë e Ervinës ndihmon për të çmjegulluar bazamentin e shoqërisë sonë dhe për të treguar se jo gjithçka ka filluar në vitin 1999 apo 2008, por ka rrënjë shumë më të thella”, ka shtuar Hoxha.

Ceremonia e ndarjes së çmimit u transmetua në rrjetet sociale të KCSF-së dhe në Kohavision, së bashku me një dokumentar të shkurtë të realizuar nga KCSF, i cili tregon rrugëtimin e Ervina Halilit drejt realizimit të kësaj kauze.

Ky çmim, tashmë tradicional, ka për qëllim të vlerësojë kontributet e individëve, nismave të paregjistruara dhe të organizatave joqeveritare në fusha të ndryshme, që janë rezultat i mobilizimit të komunitetit dhe angazhimit të qytetarëve, guximit intelektual ose arritjeve të theksuara, dhe që kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë kosovare përmes punës dhe përkushtimit të tyre.

Çmimi për Demokraci është pjesë e programit EJA Kosovë, program ky i KCSF-së për përkrahje të shoqërisë civile që bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

 


APR
Romay Lift