Prokuroria shqyrton akuzat ndaj Bulliqit për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Kosovë

Prokuroria shqyrton akuzat ndaj Bulliqit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

KP

Ndërtimet në zonën përreth liqenit të Batllavës janë shndërruar në çështjen kryesore në Podujevë e që u pretendua se u bë mollë sherri edhe në raportet mes kryetarit të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, dhe ish-drejtorit të Inspeksionit, Besnik Mulliqi, që tashmë është shkarkuar.

Mulliqi pretendoi se shkarkimi i tij erdhi pas aksionit të rrënimeve në fshatin Orallan, saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

Madje gjatë paraqitjeve në publik, ai u shpreh se Bulliqi i kishte kërkuar që t’i lejojë mbindërtimet në qendrën e qytetit të Podujevës dhe të mos i fillojë rrënimet e ndërtimeve në Orllan.

“Shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë (liqeni i Batllavës) dhe jo vetëm. Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me kryetarin e komunës së Podujevës. Në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe në anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar”, shkroi Mulliqi në Facebook.

Prokuroria e Prishtinës ka konfirmuar për media se tashmë janë duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e ish-drejtorit Mulliqi.

“Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, u tha në përgjigjen e shkurtër të prokurorisë.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deklaroi sot se mirëpret çdo hetim të prokurorisë në lidhje me ndërtimet përreth liqenit të Batllavës, pasi sipas tij, e vërteta duhet të zbardhet.

“Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth liqenit të Batllavës. I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje”, shkroi Bulliqi.

Ai ka shprehur gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojë ngushtë me prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zonë.


APR
Romay Lift