Pas Rita Orës, edhe Dua Lipa merr titullin “Ambasadore Nderi e Kosovës”
Foto> Vjosa Osmani/Facebook
Kosovë

Pas Rita Orës, edhe Dua Lipa merr titullin “Ambasadore Nderi e Kosovës”

Jeton Musliu / RTKlive

Dua Lipa është Ambasadore Nderi e Kosovës. Një titull i tillë, këngëtares shqiptare nga Kosova me famë botërore, ia ndau sot Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani. Ajo deklaroi se Lipa, vazhdon ta nderojë Kosovën në çdo hap e çdo paraqitje.

“E falënderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë”, deklaroi presidentja  Osmani.

Duke përmendur dy vazjat e saj binjake, Dua dhe Anda, për të cilat tha se kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin Dua Lipa, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës, presidentja osmani shtoi se ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë.

“Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit ‘Sunny Hill’, rikujtoi presidentja e republikës..

”Prandaj sot në Presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë që ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherit është edhe moto e edicionit të sivjetmë të festivalit Sunny Hill”, deklaroi Osmani. “Faleminderit Dua e mirëserdhe në shtëpi!”.

Këngëtarja Dua Lipa nuk është e vetmja që merr një titull të tillë nga kreu i shtetit të Kosovës.

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një pritje të veçantë organizuar në ambasadën e Kosovës në Londër, më 10 korrik të vitit 2015, i dorëzoi artistes me famë botërore, Rita Ora, Medaljen Presidenciale “Ambasadore e Nderit”, e Republikës së Kosovës në botë.

Në ceremoni kishin marrë pjesë edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Michael Jackson, përfaqësues diplomatikë në Londër dhe miq të Kosovës.

 


APR
Romay Lift