Prishtina vërshohet nga turistët (Video)
Foto: RTKLive
Kosovë

Prishtina vërshohet nga turistët (Video)

Qëndresa Duraku/ RTK

Nga Prizreni kthehemi në Prishtinë aty ku tash e sa ditë kanë zënë vend një sërë festivalesh e aktivitetesh kulturore. Kjo i ka sjellë kryeqytetit një numër të madh të turistëve, aq sa shërbimet e hotelerisë nuk kanë më as vende të lira për fjetje. Ndërsa turistët të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme shprehen të befasuar me atë çfarë gjetën në Prishtinë.

Talha Sener e Batuhan Gebedek janë 2 turistë nga Turqia që kanë ardhur enkas për të marrë pjesë në festivalin e Sunny Hillit që po mbahet në Prishtinë. Që të dy shprehen mjaft të kënaqur nga pritshmëritë që ata kishin.

"Përpara se të vija këtu, nuk prisja të ishte një qytet kaq i bukur. Por kur arrita këtu e kuptova është kaq madhështor dhe në të ardhmen do të doja ta kaloja tërë jetën time këtu. Do të doja ta filloja pse jo edhe karrierën time këtu", thotë Talha Sener, turist nga Stambolli i Turqisë.

"Po ndihem sikur të jem në Turqi. Njerëzit këtu janë mjaft mirëpritës. Me të vërtetë është mirë këtu”, deklaron Batuhan Gebedek, turist nga Stambolli.

Jo vetëm për Sunny Hill. Edhe Bienalja Nomade Evropiane i ka sjellë Prishtinës turistë nga vende të ndryshme të botës. Dy motra të lindura në Bosnjë e Hercegovinë e të rritura në Austri, thonë se kryeqyteti i Kosovës është mbresëlënës.

"Është hera e dytë që po qëndrojmë këtu. Kemi ecur përgjatë rrugëve këtu dhe me të vërtetë më ka pëlqyer shumë Biblioteka Kombëtare. Në përgjithësi më pëlqen arkitektura këtu”, deklarojn Sanja Govorqin, turiste nga Austria me prejardhje nga Bosnje e Hercegovina.

"Këtë radhë kemi ardhur veçanërisht për të parë Bienalën Manifesta. Prishtina është qytetet mbresëlënës, ndoshta ndonjëherë kaotik për shkak të trafikut të shumtë meqë nuk jam mësuar meatë", deklaron Veza Govorqin, turiste nga BeH.

Ardhja e turistëve ka rritur edhe kërkesat për akomodim. Rrjedhimisht hotelet e bujtinat e Prishtinës janë të stërmbushura.

“Ne 3 muajt e fundit është shtuar jashtëzakonisht shumë pjesa e akomodomit e shtretërve edhe e dhomave duke marrë për bazë që kemi, pasi kemi edhe numër të madh të banesave të cilat janë lëshuar me qera për shkak të këtyre aktiviteteve”, shprehet Baki Hoti, kryetar i Unionin të Turizmit të Kosovës.

Se janë duke punuar me kapacitet të plota e thotë edhe një pronar i një hoteli në Prishtinë.

"Ky muaj, kjo javë është më e ngarkuara e këtij viti. Për momentin jo, jemi me kapacitet të plotë. Ndërkaq, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka kërkuar qytetarëve t'i hapin dyert për turistët.

" Unë i ftoj edhe qytetarët e Prishtinës që nëpërmjet RBNB ose në mënyra të ndryshme t'i hapin shtëpitë e tyre dhe se munden ashtu me pas përfitim ekonomik, por të njëjtën kohë me tregu edhe atë kulturën tonë, traditën tonë, mikpritjen tonë që me i tregu edhe vizitorëve të ndryshëm se kush saktësisht janë Prishtinasit”, thote Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës

Ardhja e turistëve të huaj pritet , t”i sjellë kryeqytetit përfitime të shumta financiare.

 


APR
Romay Lift