Veteranët planifikojnë protestë, nuk garantojnë se nuk eskalon situata
Rtklive
Foto: RTKLive
Kosovë

Veteranët planifikojnë protestë, nuk garantojnë se nuk eskalon situata

KP

Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës insistojnë të përfshihen në projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, në të kundërtën do të dalin për të protestuar para Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i shoqatës së Familjarëve së Dëshmorëve, Xhavit Jashari thotë se protesta do të jetë forma e parë përmes së cilës do të kundërshtojnë miratimin në lexim të dytë të këtij projektligji derisa shton se nuk do të mbajnë përgjegjësi nëse protesta do të dalë jashtë kontrollit. Ai shton se përgjegjësia bartet të qeveria dhe jo të veteranët të cilët, sipas tij, po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Qeveria thotë se paga minimale dhe benefecioni i veteranëve janë çështje të ndara ndërsa insiston në një ligj të ri me lista të pastruara dhe më pas edhe mundësi që kjo kategori të trajtohet, sipas tyre, më dinjitetshëm.

Veteranët kanë protestuar dy herë para qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë pagën minimale.

Jashari thotë se të njëjtin veprim do ta ndërmarrin në ditën kur në seancën e Kuvendit do të dalë për votim në lexim të dytë ky projektligj.

Sipas tij, nuk do të lejojnë të degradohet sakrifica dhe vlera e veteranëve të UÇK-së dhe shton se kjo kategori vazhdon të jetë e nëpërkëmbur.

Pas protestës së dytë të veteranëve të mbajtur në muajin qershor, përfaqësuesit e organizatave ishin pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti i cili kishte propozuar hartimin e një ligji të ri për veteranët dhe nisjen e procesit të vlerësimit dhe verifikimit të pjesëmarrësve të luftës.

Jashari thotë se asnjë verifikim nuk mund të bëhet pa përfunduar procesi gjyqësor për veteranët, i kthyer në rigjykim nga Apeli.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve i bën thirrje kryeministrit të vendit që të trajtojë me kujdes çështjet që lidhen me veteranët meqë, sipas tij, kjo kategori duhet të marrë trajtim të dinjitetshëm.

Ai thotë se Kurti nuk duhet të mbajë në qeveri ministra si Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla që sipas tij janë deklaruar kundër vlerave të luftës.

Më 14 qershor 2022 Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin i cili parasheh rritjen e pagës minimale në 250 euro neto nga 130-170 sa është aktualisht. Ky projektligj përjashton rritjen e pensionit të veteranëve në lartësi të pagës minimale dhe në rast të miratimit në lexim të dytë, veteranët do të vazhdojnë të marrin pensionin në vlerë prej 170 eurosh.


MË SHUME NGA Kosovë