Ministria e Ekonomisë po monitoron situatën e furnizimit me energji
Foto: RTKLive
Kosovë

Ministria e Ekonomisë po monitoron situatën e furnizimit me energji

J.Musliu/RTKlive

Lidhur me paralajmërimet për reduktime të furnizimit me energji elektrike, ka reaguar Ministria e Ekonomisë. Kjo ministri sqaron se prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh kurse kërkesa për konsum është deri në 750 MWh, ndërkohë që çmimi në bursën hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MËh.

“Humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%. Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-i. Institucionet përgjegjëse që monitorojnë punën e akterëve të furnizimit me energji, janë duke marrë të gjitha hapat që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit”, deklaron Ministria e Ekonomisë.

Sipas këtij dikasteri, kriza energjetike ka kapluar Evropën, siç është paralajmëruar me rastin e shpalljes së gjendjes emergjente në furnizimin me energji elektrike.

“Është me rëndësi që secila e secili prej nesh të kemi kujdes dhe të kursejmë shpenzimin e energjisë elektrike gjatë gjithë ditës. Kursimi i vogël individual do ta lehtësonte tejet shumë furnizimin me energji elektrike, si dhe to të lehtësonte vështirësitë të mëdha që po kalon dhe do të kalojë vendi”.

Ministria e Ekonomisë rikujton se është i duke bërë gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por veçanërisht për të ndërprerë përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, pra humbjet nga vjedhjet.

“Këto humbje vazhdojnë të jenë shumë të larta e për të cilat kompania dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur rezultate. Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji”.

Ministria e Ekonomisë paralajmëron se në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis.

“Tutje, Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët. Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t'i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë”.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë