Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i NPL ‘Prishtina Parking’
B. Halimi / RTKlive
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se Liridon Restelica është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Prishtina Parking’.
I pari i kryeqytetit nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se Restelica u shkarkua për keqpërdorim të pozitës, mosinformim të bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL "Prishtina Parking" ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL ‘Prishtina Parking’”, ka shkruar Rama.
Në anën tjetër, Restelica ka thënë se ka dhënë vetë dorëheqje më 19 gusht, për shkak të presioneve që ka pasur nga aksionarët e Kuvendit Komunal.

























