RrGK: Shqetësuese që veç dy nga pesë të dyshuarit për dhunim u arrestuan
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar lidhur me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, derisa kanë kërkuar dënim meritor për ata që kryen veprën.
Me shqetësim e ka pranuar lajmin për rastin e dhunimit të 11 vjeçares, Rrjeti i Grave të Kosovës.
Ky Rrjet ka kërkuar që të dyshuarit pas vlerësimit të provave të marrin dënimin meritor bazuar në peshën së veprës.
“Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenit 227, theksohet se “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet… ndërsa në rastet kur viktima është e mitur dënimi duhet të jetë jo më pak se pesë (5) vjet deri në 20 vjet burgim efektiv”, thuhet ndër të tjera në reagimin e RrGK-së.
Madje, RrGK është tejet e shqetësuar që deri tani vetëm dy nga pesë personat e dyshuar për dhunim janë arrestuar nga institucionet kompetente.
“Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura. Dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe çdo lloj tjetër i dhunës ndaj grave dhe vajzave duhet të luftohet nga e gjithë shoqëria dhe çdo ushtrues i dhunës duhet të marrë dënimet meritore nga organet kompetente”, vazhdon reagimi i RrGK-së.
Po ashtu është bërë thirrje që gjatë punës me të miturën të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme.























