Protestë kundër dhunimeve
Arlinda Sejda/RTK
Një protestë e thirrur në Prishtinë, për të ngritur zërin pas rastit të dhunimit të një vajze 11 vjeç, të shtunën në mbrëmje nga pesë persona në Prishtinë, ka mbledhur dhjetëra qytetarë para teatrit Kombëtar.
Protesta u iniciua nga ish -konsullja e Kosovës në Austri, Xheraldina Rexhepi.
Ajo nëpërmjet një postimi në facebook, deklaroi se do të protestonte e veshur me tw zeza, në sheshin kryesor të Prishtinës, për të shprehur revoltën dhe indinjatën ndaj këtij rasti dhe rasteve të tjera të ngjashme në Kosovë, ku gra e vajza e janë pre e dhunës seksuale.
“Më bëhet shumë qejfi që po iu shoh aq të prekur e kaq te interesuar për të protestuar”, tha Rexhepi para të pranishmëve.
“Në një moment indinjate e kam postuar në status në dhe prej atij momenti kam marrë iniciativën për protestë sepse është një ngjarje makabre”, tha ajo.
Rexhepi u shpreh se kjo është një ngjarje në të cilën nuk është se ka dështuar dikush, por kanë dështuar të gjithë.
“Ka dështuar familja që nuk e kanë ditë se ku e kanë vajzën për shtatë orë, kanë dështuar familjet e atyre djemve të dyshuar”, tha Rexhepi, duke rikujtuar se edhe të dielën, është kryer një përdhunim i një gruaje 21 vjeç në Prishtinë, e cila është futur me dhunë në veturë.
“Ne nuk jemi duke bërë asgjë sepse nuk mund të presim prej shtetit, pasi ne si shoqëri duhet ta bëjmë ndryshimin”, tha Xheraldina Rexhepi.
Derisa shpjegoi se raste të tilla nuk janë edhe aq të rastësishme, ajo rikujtoi se vetëm në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, të gjithë kanë njohuri për qendra të masazheve e ku çdo pesë metra ka motele.
“E nëse ne nuk reagojmë, atëherë raste si këto, kanë ndodhur e do të vazhdojnë të ndodhin”, tha Rexhepi.
“Ju lus ta nisim ndryshimin prej vetes sepse ne e kemi vetëm një Kosovë e ta bëjmë ashtu siç e dëshirojmë”, tha Rexhepi.
Presioni dhe diskutimi i madh publik është duke ndodhur që nga momenti kur policia raportoi për këtë rast e më pas prokuroria dhe detaje shtesë se vajza që dyshohet e u përdhunua të shtunën pasdite nga pesë meshkuj të moshave të ndryshme, është një vajzë 11 vjeç.
Një protestë e ngjashme është paralajmëruare dhe për të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti”, e në të cilën pritet të marrin pjesë edhe më shumë protestues, duke nisur nga fakti se shumë figura publike kanë bërë thirrje për pjesëmarrje.























