Hovenier: Të përkushtuar për të gjetur të vërtetën për të pagjeturit
J.Musliu/RTKlive
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet ambasadorit të vet në Kosovë, Jeff Hovenier, kanë nderuar mbi 1.600 të pagjetur nga lufta në Kosovë, sot në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me dhunë.
Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe para obeliskut për personat e pagjetur në Prishtinë.
Në një deklarim në llogarinë e tij në Twitter, Hovenier ka shkruar se mbeten të përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën për personat e zhdukur.
“I nderuar për t’u bashkuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe familjarët e të zhdukurve për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Dhunë”, tha Hovenier.
“Ne qëndrojmë me çdo person që është në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të zhdukur dhe mbetemi të përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën”, ka shkruar Hovenier.
Gjatë ditës janë bërë nderime të shumta për të pagjeturit nga zyrtarë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë.
























