Me intonim të himnit kombëtar, nesër në Serbi fillon viti shkollor
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

Me intonim të himnit kombëtar, nesër në Serbi fillon viti shkollor

RTK2

Himni kombëtar i Serbisë “Drejtësia e Zotit” do të dëgjohet të enjten më 1 shtator edhe në shkollat e Bujanocit në Luginë të Preshevës, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Intonim i himnit serb në fillim të vitit shkollor, është shndërruar në  obligim që nga viti i kaluar, vendim ky që është kundërshtuar nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KSHK) në Serbi, Ragmi Mustafa dhe deputeti nga Bujanoci në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Përkundër kësaj, mediat serbe raportojnë se drejtorët e shkollave kanë deklaruar se do të ketë intonim të himnit.

“Sigurisht që nesër do të ketë intonim të himnit. Çdo mësues në shkollën tonë është informuar dhe himni kombëtar do të këndohet në çdo klasë”, tha Vahid Iseni, drejtor i shkollës fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnovc të Madh.

Nxënësit në shkollën fillore "Naim Frashëri" nesër para fillimit të orës së parë mësimore, do ta dëgjojnë himnin kombëtar, ka konfirmuar drejtori Fadil Ebibi.

“Sigurisht që do të intonohet. Është detyrë e çdo shkolle. Himn ka pasur edhe vitin e kaluar”, tha Ebibi.

Drejtorët theksuan se absolutisht gjithçka është gati për fillimin e vitit të ri shkollor në shkollat ​​që ata drejtojnë.

Ligji parashikon që shkolla do të gjobitet nga 850 euro  deri në 8 mijë e 500 euro, për mos ekzekutimin e himnit kombëtar në fillim të vitit shkollor.


MË SHUME NGA Kosovë