Kurti: Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me Abetaren unike
BKT
Foto: ZKM
Kosovë

Kurti: Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me Abetaren unike

Kimete Kasumi/ RTKlive

Një brez i ri shqiptar, po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza, që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e përurimit të Abetares së Përbashkët Unike, thuhet në komunikatën për medie nga zyra e kryeministrit.

Në ceremoninë e organizuar në Gjakovë, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi dhe Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, Kryeministri Kurti kujtoi angazhimin ndër breza për ruajtën e gjuhës shqipe. 

Në ditë si këto, duhet kujtuar puna e sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, studiuesve, mësimdhënësve e kontribuuesve të parezervë, grave e burrave, që në kohët më të vështira, e ruajtën gjuhën tonë shqipe, pasurinë tonë të përbashkët, tha ai, thuhet ndër të tjera në komunikatë. 

Jam i lumtur andaj sot që kemi në duar këtë abetare, për të cilën u zotuam me marrëveshjen nga mbledhja e përbashkët e dy Qeverive tona në nëntor të vitit të kaluar, shtoi kryeministri Kurti. 

Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë po e bëjmë në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin, mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë, tha ai. 

Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet e Republikës së Shqipërisë ka përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëve tanë në mërgatë, që do të shpërndahet gjatë muajit shtator. 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti: 

E nderuar Ministre e Arsimit dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë, znj. Evis Kushi,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Republikën e Kosovës, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuar ambasador Minxhozi,
Të nderuar autorë të Abetares, znj.Mimoza Gjokutaj, z.Naser Zabeli, znj.Saranda Kumnova Pozhegu dhe znj.Tereza Babasuli,
Të nderuar mësues, mësuese e profesorë, veteranë të arsimit, e dashura znj.Purrini,
Të dashur nxënës e nxënëse, 

Mirë se po takohemi në këtë ditë të bukur shtatori, këtu në Amfiteatrin e Parkut që mban emrin e poetit të vargjeve kushtrim, Ali Podrimja. 

Janë bërë 178 vjet, prej kur Naum Veqilharxhi botoi Qarkoren dhe Evetorin e Parë.  

Kanë kaluar 114 vite, prej kur dijetarët shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Kongresin e Manastirit, apo siç e njohim Kongresin e Alfabetit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.  

Kështu u jetësua alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe, të cilin nga sot, fëmijët tanë, anembanë viseve të banuara me shqiptarë, do ta mësojnë si Abetare e Përbashkët dhe Unike.  

Populli ynë e di se përbashkimi është i domosdoshëm për të mirën e gjithmbarshme të kombit, për ecjen e tij përpara. 

Sikurse në periudha të ndryshme historike, kur prijësit tonë u bënë bashkë dhe ndërtuan kalimin prej ndjenjës së fuqishme identitare te vetëdija e lartë kombëtare, jemi ne që tani duhet ta vazhdojmë jetësimin e idesë politike, në programe e politika zhvillimore, në aktivitete të përbashkëta edukative e arsimore.

Të nderuar të pranishëm, 

Fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit tonë. Raporti në mes të gjuhës dhe kombit është historik. Nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejtë dashuria për kombin. 

Sot, në gjirin e barazisë e të lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar, po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza, që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë. 

Në ditë si këto, duhet kujtuar puna e sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, studiuesve, mësimdhënësve e kontribuuesve të parezervë, grave e burrave, që në kohët më të vështira, e ruajtën gjuhën tonë shqipe, pasurinë tonë të përbashkët.  

Të gjitha ato pena, që s'u shtjerrën, po u kthyen në flakadan ndriçues të rrugës drejt dritës të diturisë. Nënat, që me ninullat e tyre, rritën fëmijët e tyre dhe gjuhën. Poetët që kënduan edhe kur jetonin me vdekjen. Heronjtë tanë që ranë, që ne të jetojmë ëndrrën e tyre të lirisë e të bashkimit. 

Jam i lumtur andaj sot që kemi në duar këtë abetare, për të cilën u zotuam me marrëveshjen nga mbledhja e përbashkët e dy Qeverive tona në nëntor të vitit të kaluar. 

Së bashku me institucionet e Republikës së Shqipërisë kemi përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëve tanë në mërgatë, e që do të shpërndahet po ashtu gjatë këtij muaji shtator. 

Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë po e bëjmë në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin, mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë. 

Të dashur nxënës,  

Fëmijëria është koha kur mbjellët edhe dija edhe morali, ngase mbresat e viteve të para të jetës janë të vetmet që koha nuk do të mund t'i zhdukë kurrë. Krahas dijes shkencore, në sofrën e mendjes suaj, shkolla do të shtrojë edhe edukimin vleror, që do të bëhet pjesë formuese shpirtërore e juaja, e shpresë për të ardhmen tonë.  

Udha e shkronjave që na solli deri këtu është e gjatë dhe e vështirë.
U qoftë e mbarë rruga e diturisë, të gjithë juve, vajza e djem, që do të mësoni Abecenë nga ky libër, me përplot diell brenda fletave të tij.

Kushi: Abetarja e përbashkët i fshin kufijtë Shqipëri-Kosovë

(Plotësuar 11:27) Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi me rastin e përurimit të abetares së përbashkët me Kosovën, tha se ajo do të fshijë kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas saj, ndonëse të gjithë ishin skeptikë që mund të realizohej për tetë muaj, arritën që ta jetësojnë abetaren.

“Unë besoj se një ndër punët më të bukura që kemi bërë, mes të gjithë punëve tjera, është kjo abetare. Fëmijët tanë do të mësojnë me tekstin e njëjtë të gjuhës së bukur shqipe. Shumë njerëz ishin skeptikë që brenda 8 muajsh do ta realizonim një abetare të re, por ja që kur ka vullnet dhe bashkëpunim të mirë, asgjë nuk është e pamundur”, tha Kushi.

Kurti: Abetarja e parë e përbashkët, ide madhore e paraardhësve tanë

Islam Haxhiu/ RTK

(E plotësuar ora:10: 25) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri në fillim të fjales së tij ka thënë se jemi ne që tash duhet ta jetësojmë këte ide madhore të paraardhësve tanë.

“Janë bërë 178 vjet që kur dijetarët shqiptarë u mblodhen dhe themeluan alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe”, ka deklaruar Kurti.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavci, tha se abetaret dhe fletoret e punës janë gati dhe se janë
shpërndarë në të gjitha shkollat.

Ndërkaq ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi ka thënë se abetarja unike është ndër punët tona më të mëdha që kemi bëre si popull ndërkaq abetarja është libri që do të na bashkoj edhe më shumë.

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

(E plotësuar ora: 10: 20) Në Gjakovë çdo gjë gati për fillimin e aktivitetit ku po promovohet abetarja e parë e përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Përndryshe greva e arsimtarëve është duke vazhduar në të gjitha shkollat e komunës së Gjakovës.

Nga sot të gjithë fëmijet shqiptarë kudo që janë do ta kenë në duar abetaren e përbashkët në gjuhën shqipe.

Sot përurohet abetarja e parë e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Ditën e sotme, 1 shtator do të zhvillohet ceremonia e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Ndërkohë bëhet e ditur se në ceremoninë e përurimit do të marrin pjesë ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi dhe homologia e saj në Kosovë, Arbërie Nagavci.

Ceremonia pritet të organizohet në amfiteatrin e parkut “Ali Podrimja” në Gjakovë.


MË SHUME NGA Kosovë