17:52 / 02.09.2022
Këshilli i Prindërve të Kosovës: Nuk lejojmë zëvëndësimin e orëve mësimore
J.Musliu/RTKlive
Këshilli i Prindërve i Kosovës paralajmëroi se nuk do të pranojë që nxënësit, t’i zëvendësojnë orët që janë duke u humbur.
Ky Këshill deklaron se fëmijët nuk do t’i zëvendësojnë orët, si pasojë e grevës së punëtorëve të arsimit.
Në reagim publik, Këshilli i Prindërve deklaron se do të mobilizohet që të bojkotohet zëvendësimi i orëve mësimore që po humbin tash fëmijët.
“Nuk duam të pranojmë edhe të dëmtohemi nga greva edhe t’ju përshtatemi orareve jashtë ditëve të punës apo jashtë kalendarit vjetor të mësimit”, thuhet në reagim.
Sindikata e Arsimit dhe sektorët tjerë publikë në shumicë kanë hyrë në grevë duke kërkuar 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.
























