Punëtorët e QKMF-së në Prishtinë u trajtuan si grevistët -Video
BKT
Kosovë

Punëtorët e QKMF-së në Prishtinë u trajtuan si grevistët -Video

Valjete Shala/RTK

Nuk ishin pjesë e grevës dhe punën e vazhduan normalisht, por u trajtuan njësoj si grevistët.

Tash e dy ditë punëtorët shëndetësorë të komunës së Prishtinës nuk kanë marrë pagat e muajit gusht.

Mosekzekutimi i tyre bëri që dhjetëra punëtorë shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, të dalin në protestë.
"Ne sot po protestojmë si shenjë pakënaqësie për mosekzekutimin e pagave. Në këtë protestë prej 15 minutave e kemi organizuar në kohën e pauzës. Shërbimet nuk janë ndalur. Ne nuk kemi qenë në grevë dhe sot është data dy e nuk kemi ende paga. Po luhet me dinjitetin tonë, që dikur na quanin dhe heronj. Kjo situatë është e papranueshme, pasi shumica janë edhe në kredi dhe gjendja ekonomike e shumë prej nesh nuk është e mirë", deklaroi Sherif Makolli, kryetar i shoqatës se sindikale të QKMF-së .
Leonora Shala, punonjëse në QKMF, tha se mosekzekutimi i pagave i ka dëmtuar mjaft shumë në këtë kohë.
Leonora Shala, asistente e qendrës së trajnimit, QKMF
“Është shtatori, kemi obligime, shpenzime. Është shumë e vështirë", tha Leonora Shala, asistente e qendrës së trajnimit, QKMF.
Edhe Oda e Infermierëve njofton se është e shqetësuar për mos- ekzekutimin e pagave për infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë, të cilët, pavarësisht mosrangimit adekuat në draft- ligjin e ri të pagave, kanë vendosur të jenë në shërbim të pacientëve dhe nuk janë bashkëngjitur në greva.
RTK ka provuar të sigurojë një përgjigje edhe nga Ministria e Financave, por deri më tani nuk kanë kthyer.


MË SHUME NGA Kosovë