LDK reagon pas shkarkimit të drejtoreshës së arsimit në Gjilan
BKT
Kosovë

LDK reagon pas shkarkimit të drejtoreshës së arsimit në Gjilan

B. Halimi / RTKlive

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka reguar ndaj shkarkimit të drejtoreshës së arsimit në këtë komunë.

“LDK që nga fillimi i mandatit qeverisës të udhëhequr nga VV, ka ngritur shqetësimet e vazhdueshme për nepotizëm të vazhdueshëm në punësim, për keqqeverisje e për bllokim të projekteve zhvillimore për Gjilanin. Rasti i fundit i punësimeve familjare të eksponentëve të VV-së e shpërfaq më së miri degradimin e skajshëm të qeverisjes komunale, e aq më keq, sektorin më të rëndësishëm – arsimin”, thuhet në reagimin e LDK-së në Gjilan.

Sipas këtij subjekti politik veprimi i kryetarit të komunës Alban Hyseni për shkarkim të drejtoreshës së arsimit Selvete Sylemjani dhe për anulim të konkursit është vendim i zorit e shtatë ditë me vonesë, vetëm pas presionit nga ana e degës së LDK-së dhe të qytetarëve në përgjithësi.

“Shkarkoje edhe drejtuesin e vendosur në Bordin e Teatrit të Qytetit, Avni Shkodrën, sa nuk është bërë e madhe dhe mos prit shtatë ditë se duhet ta shkarkosh pas asaj që do t’i njoftojmë ne qytetarët. LDK ka alarmuar me kohë për këtë degradim të skajshëm e katandisje të qeverisjes komunale, por tashmë qytetarët po e kuptojnë mashtrimin e madh që emrin e ka VV”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.

Ndërkaq, drejtoresha e shkarkuar, Selvete Sylejmani ka theksuar se në takimin zyrtar me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, me datë u dakordua për lirimin e pozitës si drejtoreshë e Drejtorisë Komunale të Arsimit.

“Lirimit të pozitës i paraprinë shpifjet dhe akuzat për nepotizëm, nga njerëz jo kredibil, ish-politikan të dështuar e persona që kanë tentuar vazhdimisht të imponojnë e të inskenojnë manipulime të ndryshme tash e disa vite”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka thënë se ndihet e pastër përballë akuzave dhe jep përgjegjësi të plotë para qytetarëve për punën e saj prej ditës së parë në arsim.

“Përgjegjësia për punësimin e aplikuesve në konkursin e datës 24.06.2022 nuk bie në asnjë formë mbi kompetencat e Drejtorit, prandaj çfarëdo akuze e pafaktuar ndaj meje, duke targetuar lidhjen time familjare me ndonjë prej kandidatëve, është e papranueshme dhe jologjike. Gjatë gjithë kësaj kohe, asnjëherë, askush nga zyrtarët e DKA-së nuk ka pasur asnjë lloj presioni nga ana ime, e nga ana e askujt tjetër dhe në këtë drejtim kam qenë gjithmonë e prerë”, ka shtuar Sylejmani.


MË SHUME NGA Kosovë