Sfidat e Policisë së Kosovës |Video
BKT
Kosovë

Sfidat e Policisë së Kosovës |Video

Ahmet Maholli/RTK

Në 23-vjetorin e themelimin, Sindikata e Policisë ka kërkuar nga Qeveria plotësimin e disa kërkesave për policinë, përfshirë këtu 200 euro shtesë në paga deri në miratimin e ligjit të pagave, sigurime shëndetësore dhe përmirësim të kushteve në vendin e punës. E me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, premtoi se do të punojë për t?i plotësuar kërkesat e tyre.

23 vjet pas, Policia e Kosovës po ballafaqohet me sfida të shumta. Kreu i Sindikatës policore, Imer Zeqiri, po shprehet i habitur se si krahas lëvdatave për policinë, asnjë nga institucionet nuk flasin për mirëqenien e policëve e cila edhe pas 23 vitesh nuk ka sigurim shëndetësor dhe paga të dinjitetshme.

“E kemi Policinë e Kosovës ku mosha mesatare është rreth 47 vjet e që zyrtari policor pas kalimit të moshës 65 vjeçare kur pensionohet del pa pension, kjo është diçka shumë e papranueshme. Prandaj kërkoj nga qeveria që ligji mbi pensionimin e policisë së Kosovës mbi moshën 55 vjecare, gjithsesi të dërgohet në kuvend dhe të bëhet kjo për shkak se edhe kjo është një nevojë jashtëzakonisht e madhe”, thotë ai.

Zeqiri thotë se problem mbesin edhe kushtet në të cilat punojnë pjesëtarët e policisë, duke përmendur kontejnerët e dëmshëm për shëndetin që shfrytëzohen prej 23 vitesh.

“Edhe kushtet në të cilat punon Policia e Kosovës, duke u nisur nga logjistika, veshmbathja e shumë gjëra të tjera, qëndrojmë keq, dhe kjo e keqe ka ardhë nga bllokimi i 25 projekteve të cilat i kanë kaluar të gjitha procedurat, kanë mbetur në OSHP? edhe për këto I bëj kërkesë qeverisë që t’i marrë projektet me prioritet dhe t’i realizojë”, thotë ai.

Por, shumica e këtyre shqetësimeve pritet të trajtohet shpejt. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, thotë se po angazhohet që t?i ofrojë mbështetje të nevojshme policisë.

“Gjithë këtë ngecje nuk mund ta kompensojmë menjëherë, por nga prioritetet që i kërkon Policia e Kosovës, pastaj edhe duke parë nga organi shqyrtues i Prokurimit ne do të ecim përpara në mënyrë që të gjitha këto kushte, bazike për Policinë e Kosovës të plotësohet. Çështja e sigurimit shëndetësor ajo e pensionimit të parakohshëm, janë skema pensionale dhe të sigurimit të cilat bien nën ingerenca të ministrive tjera. Megjithatë ne po mundohemi që të gjitha këto të arrihen”, tha Sveçla.

Sa i përket pamundësisë se realizimit të projekteve në Policinë e Kosovës që do të ndikonte në përmirësim të kushteve, Sveçla thotë tashmë OSHP-ja është funskionale dhe po bëhet përpjekje që të realizohen në mënyrë që të gjitha kushte për policinë të plotësohen.

“Çështja e sigurimit dhe pensionimit te parakohshëm është nën ingerencat e ministrive tjera ne po punojmë që edhe këto të arrihen duke menduar për ndonjë sigurim suplementar, pasi që cdo pjesëtar i policisë shërbimet shëndetësore i ka pa pagesë.

Ndërkohë, edhe Sindikata e policisë e ka ngritur që disa muaj kërkesën e tyre për ndarjen e 200 eurove për pjesëtarët e sigurisë, deri në miratimin e ligjit të pagave.

 


MË SHUME NGA Kosovë