IKD: Prokuroria Speciale nuk ishte efikase në trajtimin lëndëve
BKT
Foto: Qëndresa Duraku-Xharra
Kosovë

IKD: Prokuroria Speciale nuk ishte efikase në trajtimin lëndëve

E.Hoti/RTKlive

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), prezantoi sot raportin “Performanca e sistemit të drejtësisë në trajtimin e krimeve speciale”.

Hulumtuesi i IKD-së, Ramiz Durmishi,  tha se gjatë vitit 2021, IKD ka evidentuar regres në efikasitetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në krahasim me vitin paraprak. Kjo pasi që PSRK gjatë vitit 2021 ka zgjidhur më pak lëndë sesa në vitin 2020.

Sipas tij ka rezultuar rënie megjithëse numri i prokurorëve gjatë këtij viti ka qenë i njëjtë.

Durmishi ka shtuar se gjatë vitit 2021, prokurorët special nuk kanë arritur të përmbushin normën orientuese në zgjidhjen e lëndëve.

Ai tha se si gjetje e rëndësishme e këtij raporti është edhe lëshimi i PSRK-së që ka pamundësuar gjykimin meritor në një rast të krimit të organizuar.

Ndërkaq, Aurela Mërlaku, ka folur për performancën dhe gjetjet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ajo tha se gjatë vitit 20021 ky departament ka qenë i ngarkuar me 72 raste, ndërsa nga viti 2020 i ka trashëguar edhe 66 raste të tjera.

“Pra, në total gjatë vitit 2021 Departamenti Special i Gjykatës Themelore ka pasur 138 raste prej të cilave ka arritur t’i zgjidhë 37 prej tyre, ndërsa të pazgjidhura kanë mbetur 101 raste “, tha ajo.

Sipas saj në vitin 2020 Departamenti Special ka pasur më pak lëndë dhe nga 110 sosh, janë zgjidhur 51 prej tyre.

“Në vitin 2021 kanë qenë të angazhuar 12 gjyqtarë, ndërsa në vitin 2020 vetëm gjashtë gjyqtarë, megjithatë ata kanë përfunduar më shumë lëndë”, tha ajo duke shtuar se IKD ka evidentuar regres të theksuar në këtë departament.

Ndërkaq që për Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, Mërlaku tha se ka një stabilitet në punën, pasi si në fund të vitit 2020, ashtu edhe të vitit 2021, i kanë mbetur vetëm nga 5 lëndë të pazgjidhura.

Raporti është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë punës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Departamentit Special të Gjykatës Themelore dhe atij të Apelit në vitin 2021.


MË SHUME NGA Kosovë