Kuçi dhe Aliu vizitojnë ish-krerët e UÇK-së, në Hagë
RTKlive
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kanë vizituar në Hagë, ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën.
Aliu ka shkruar në "Facebook" se çlirimtarët janë të pathyeshëm edhe në luftë edhe në betejën pranë Gjykatës Speciale.
"Lavdia e krenaria e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të triumfoj sërish!. Nga vizitat më emocionale e më të veçanta, patëm, me profesorin Hajredin Kuçi, ku bashkë vizituam në Hagë, emblemat e lirisë, lavdisë, krenarisë dhe shtetformimit të Kosovës, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën", ka shkruar Aliu në "Facebook".
Sipas tij të gjithë, të pathyeshëm, krenarë e energjiplotë, po vazhdojnë betejën e sakrificën që nisën qysh në luftën për liri të Kosovës, duke u mbajtur edhe sot, padrejtësisht në gjykimin absurd të një lufte të pastër çlirimtare. Ata do të triumfojnë, do të triumfoj lufta jonë për liri, lavdia e krenaria e saj, që solli lirinë e Kosovës.
"Kosova me shekuj vuajti robërinë. Edhe sot, bijtë e saj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë po mbrojnë themelet e lirisë sonë, luftën tonë të drejtë çlirimtare ndaj regjimit gjakatar serb. Me të fala Kosovës nga çlirimtarët, mes emocionesh, përmbyllëm vizitën tonë, duke uruar që sa më shpejt, triumfues siç i pret çdo shqiptar, t'i kemi pranë nesh, aty ku me lavdinë e veprën e tyre, historia i rendit, në Kosovën tonë, liria e së cilës mban emrin e secilit prej tyre, Dëshmorëve të Kombit, veteranëve, invalidëve të UÇK-së, martirëve e gjithë brezit që sakrifikoi për liri", ka shkruar Aliu në "Facebook".























