Memorial përkujtimor për luftën çlirimtare|Video
Islam Haxhiu /RTK
Në Isniq të Deçanit është ngritur një memorial përkujtimor që i kushtohet sakrificës së popullit shqiptar në luftën çlirimtare.
Në këtë fshat të Deçanit, 24 vjet më parë u strehuan rreth 80 mijë civilë shqiptarë, të larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe.
Memoriali do të shërbejë si dëshmi për atë se ç’ka ndodhur gjatë luftës në vendin tonë, Raporton Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
24 vjet pas, Salih Hajdari përfaqësues i fshatit, rrëfen ngjarjet e rënda që përjetuan shqiptarët në atë periudhë, dhe si i shpëtuan një masakre të mundshme nga regjimi i Millosheviqit.
“Ato ditë janë ditë që nuk harrohen kurrë, por në fund u arrit qëllimi dhe shpëtoj popullata”, tha Hajdari.
Në 24 vjetorin e kësaj ngjarje në Isniq është ngritur Memoriali Përkujtimor si dëshmi e një historie e cila do t'iu shërbej brezave për atë çka ka ndodhur gjatë luftës çlirimtare.
Blerim Sallahu, zv ministër i Drejtësisë, gjatë kësaj ceremonie u shpreh se fitorja më e madhe është të mos pësosh asnjë dëm.
“Në këtë mënyrë vizioni i komandës së UÇK-së së kësaj zone ka rezultuar me 100 mijë jetë të shpëtuara”, ka thënë Sallahu.
Kurse Fatmir Sejdiu, ish president i Kosovës, uroj që kjo të jetë gjithmonë një kujtesë e mirë.
“Është kujtesë e nënave, kujtesë e sofrave të shtruara, është kujtesë për fëmijët e lindur dhe të rritur që sot kanë nga 23 apo 24 vite, është kujtesë për bujarinë e jashtëzakonshme të atyre që kanë ndihmuar këtë proces”, ka thënë Sejdiu.
Bislim Zogaj, nga Agjencia për Menaxhimin e Memorialeve të Kosovës (AMMK), ka thënë se ky memorial do të jetë një memorizim për gjeneratat e ardhshme, për të prezantuar se sa ka qenë e shtrenjtë liria e Kosovës.
Memoriali Përkujtimor në Isniq është financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Memorialeve të Kosovës dhe komuna e Deçanit.























