Kurti priti në takim kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu
K.Kasumi/ RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu. Në këtë takim u bisedua për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit në turizëm dhe zhvillimin e një oferte turistike të përbashkët konkurruese në rajon, që promovon asetet turistike, kulinare e artizanale të të dyja vendeve.
Po ashtu, u fol edhe për mundësitë e shkëmbimit të përvojave në bujqësi e agroturizëm.
Kryeministri theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë duhet të lartësojë kombin dhe të përmirësojë të dy ekonomitë, njofton Qeveria.
Ndreu shprehu mirënjohjen e tij për qytetarët e Republikës së Kosovës për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror në Lezhë. Ai u shpreh i lumtur që tashmë është ngjizur një sistem i bashkëpunimit real, dhe që ndjehet krenar që Kosova dhe Shqipëria ushqejnë njëra-tjetrën nëpërmjet turizmit.
Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, zëvendëskryetarja e Bashkisë së Lezhës, Eueda Molla, Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Lezhës, Renaldo Xhanej, si dhe ndërmarrës e prodhues vendorë nga Bashkia e Lezhës.

























