Takim i papritur Nagavci -SBASHK, s’ka vendim për grevë
BKT
Foto: Ministria e Arsimit
Kosovë

Takim i papritur Nagavci -SBASHK, s’ka vendim për grevë

Jeton Musliu/RTKlive

Një takim i paparalajmëruar mes ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe përfaqësuesve të SBASHK-ut, është mbajtur sot. Kjo bazuar në njoftimin shpërndarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, sipas së cilit, me ftesë të ministres Nagavci, ka ndodhur takimi me drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK-ut).

Ministrja Nagavci citohet të ketë kërkuar nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, që mësimdhënësit, nga e hëna të fillojnë procesin mësimor, ndërkohë që dialogu do të vazhdojë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, ndonëse greva është shpallur nga BSPK për 84 mijë zyrtarë publikë, pjesa më e madhe e punëtorëve janë në vendet e tyre të punës, kurse ata që po pësojnë nga greva e shpallur janë rreth 320 mijë nxënës që kanë mbetur jashtë bankave shkollore.

Ministrja citohet të ketë informuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit, si dhe veprimet që i ka ndërmarrë MAShTI sa i përket përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve.

Ndërkaq, përfaqësues të Sindikatës, bazuar në deklaratën e Ministrisë së Arsimit, kanë thënë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre për 100 euro.

Ministrja Nagavci ka deklaruar se MAShTI është për dialog dhe që SBASHK-u  duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme.

“Diskutimet me SBAShK-un do të vazhdojnë sikur deri më tani”, citohet të jetë shprehur ministrja e Arsimit.

Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit edhe njëherë bënë thirrje që, nga e hëna, të gjithë mësimdhënësit të jenë në shkolla dhe të fillojë procesi i rregullt mësimor.


MË SHUME NGA Kosovë