GAP:Komunat realizuan, plotësisht vetëm 9 për qind të premtimeve elektorale
BKT
Kosovë

GAP:Komunat realizuan, plotësisht vetëm 9 për qind të premtimeve elektorale

N. Mekolli /RTKlive

Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore që kryetarët e komunave kanë dhënë në fushatën e fundit elektorale të zgjedhjeve të fundit lokale, të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2021.

Sipas GAP-it, gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit katërvjeçarë të kryetarëve të komunave, apo në periudhën janar-qershor 2022, nga gjithsej 1 mijë e 816 premtime që janë evidentuar, janë realizuar plotësisht vetëm 167 prej tyre apo 9 për qind, 113 premtime apo 6 për qind janë gjysmë të përmbushura, 392 premtime apo 22 për qind kanë filluar dhe 1.144 premtime apo 63 për qind akoma nuk kanë filluar së përmbushuri.

“Numri më i madh i premtimeve të përmbushura është shënuar në fushën e shërbimeve publike, bujqësisë, arsimit, kulturës dhe atë të sportit; ndërsa, numri më i vogël është në fushën e infrastrukturës, ekonomisë dhe urbanizmit”, thuhet në raport.

Sipas GAP-it, për dallim nga përditësimet e bëra në periudhën e njejtë të mandateve të kaluara, në këtë mandat është shënuar rënie e trendit në përmbushjen e premtimeve në fushën e infrastrukturës, ndërsa trend i përmirësuar vërehet në fushën e bujqësisë dhe atë kulturës.

Instituti GAP bën monitorimin e realizimit të premtimeve në 27 komuna nga 38 komuna, ngase disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore. Komunat si Mamusha dhe dhjetë komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.

Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Kosovë