Avokati i Popullit:Të reflektojnë të dyja palët, për të mirën e nxënësve
BKT
Kosovë

Avokati i Popullit:Të reflektojnë të dyja palët, për të mirën e nxënësve

Albana Bajrami/RadioKosova

Pas situatës së krijuar në sistemin arsimor për shkak të grevës, ka reaguar edhe Avokati i Popullit.

Në reagimin e këtij institucioni, thuhet se janë duke e përcjellë me shqetësim rrjedhën e zhvillimeve të fundit të grevës së mësimdhënësve. “E drejta për arsim është e drejtë kushtetuese që në asnjë rrethanë nuk guxon të cenohet dhe mohohet, duke vënë theksin në interesin më të mirë të fëmijëve dhe të drejtën për shkollim dhe edukim si një e drejtë e garantuar”, thuhet në reagim. Ndër të tjera, Avokati i Popullit ka theksuar se respekton të drejtat e punëtorëve për organizim sindikal dhe për grevë, mirëpo në situatën e krijuar kërkon nga të dyja palët të reflektojnë, që përmes masave dhe veprimeve të kujdesshme, të mos cenojnë të drejtat dhe interesin më të mirë të fëmijëve.

Ndërkohë, pas thirrjes së Këshillit të Prindërve, për shpërndarjen e librave nëpër shkolla, disa nga prindërit kanë kërkuar nga mësimdhënësit që t’i marrin ato. Por, shumë prej nxënësve ende nuk i kanë tekstet shkollore, për shkak të grevës. Nora Hajdari, prind i fëmijës në Shkollën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë, tha se ka komunikuar me mësimdhënësit e fëmijëve të saj, por që librat ende nuk mund t’i marrin deri sa të shkojnë nxënësit në shkollë.

“Mësuesja më ka kthyer përgjigje dhe ka treguar që librat janë në shkollë. Ata paraqiten çdo ditë në shkollë dhe po mundohen që të krijohen kushte që të fillojë mësimi sa më shpejt. Por, librat nuk na i treguan dhe nuk na thanë që t’i marrim me vete, thjesht kur të vijnë nxënësit na thanë do t’i marrin", thotë Hajdari.

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, ka thënë për Radio Kosovën se tashmë prindërit duhet të angazhohen së bashku me fëmijët e tyre, në mënyrë që të ata hyjnë në rrjedhat e mësimit. 

“Atë që e kemi bërë në kohën e pandemisë, të fillojmë ta bëjmë vetë me fëmijët tanë, në mënyrë që t’i shërbejmë sa do pak për t’i kthyer në realitetin e rregullave të shkollimit. Por, për sa kohë nuk kemi zgjidhje të tilla, ne kërkojmë nga prindërit që të organizohen që librat të shpërndahen përmes tyre te fëmijët. Po ashtu, kemi kërkuar që gjatë javës prindërit të organizohen e t’i dërgojnë fëmijët në shkollë në një orar të caktuar, për t’u takuar me shokë e shoqe, për të krijuar lidhjen e kthimin në normalitet", tregon Demi.

Ndërkohë, Radio Kosova ka kërkuar nga Ministria e Arsimit një përgjigje nëse është e mundur të realizohen kërkesat e prindërve për shpërndarjen e librave dhe fillimin e mësimit online, por Ministria ende nuk ka kthyer përgjigje. Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë thirrje që qeveria Kurti dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje për sa i përket grevës në arsim. Sipas KMDLNj-së, që nga 25 gushti, 320 mijë nxënësve të të gjitha niveleve u mohohet e drejta elementare e njeriut, e drejta për shkollim.


MË SHUME NGA Kosovë