Qeveria parandaloi tentativat për sulme kibernetike
BKT
Foto: RTK
Kosovë

Qeveria parandaloi tentativat për sulme kibernetike

Emine Hoti/ RTKlive

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.

Në një postim në Facebook të Qeverisë, thuhet se gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.

“ Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre”, shkruan në njoftim.

Tutje thuhet në njoftim se gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, gjatë tërë ditës, Telekomi i Kosovës ka pasur vështirësi në ofrimin e shërbimeve të internetit.

Zyrtarë të saj deklaruan se kjo ka ndodhur si pasojë e sulmeve kibernetike dhe për këtë arsye janë detyruar t’i shkyçin tërësisht pajisjet deri në stabilizimin e situatës.

 


MË SHUME NGA Kosovë