Në Kamenicë po mbahet mësimi në pesë shkolla|Video
BKT
Kosovë

Në Kamenicë po mbahet mësimi në pesë shkolla|Video

Driton Ramadani/RTK

Nga 16 institucione të arsimit në Kamenicë, 5 prej tyre po e mbajnë mësimin. Pavarësisht thirrjeve të institucioneve komunale që të vazhdojë mësimi edhe në shkollat e tjera, nga SBASHK-u thonë se mësimdhënësit e shkollave të tjera janë me ta deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Nga drejtoria e Arsimit e kësaj komune thanë se pesë shkolla janë duke e mbajtur procesin mësimor.

“Konsiderojmë se humbja e madhe e mësimit është e parikuperueshme. Prandaj konsiderojmë që duhet të fillojë mësimi. Kemi bërë thirrje të mbahet mësimi, kemi pas takime edhe me kryetarët e shoqatave sindikale dhe i kemi propozuar disa mënyra nëpërmjet të cilave ata mund ta reflektojnë pakënaqësinë e tyre dhe shqetësimin që kanë në kuptimin e vështirësive ekonomike e financiare. Por mësimi nuk mund të humbet dhe nuk bënë të humbet dhe është i parikuperueshëm”, ka theksuar për RTK-në, Afrim Dervishi, drejtor i Arsimit në Kamenicë.

Në degën e SBASHK-ut në Kamenicë thonë se shumica e shkollave janë pro grevës dhe besojnë në realizmin e kërkesave dhe se nuk ka asnjë presion nga asnjëra palë për ata që e filluan mësimin apo për ata që janë në grevë.

“Në bazë të statutit të SBASHK-ut, neni 21 potencon që në ato shkolla ku mbi 50 % të anëtarëve që dëshirojnë të mbajnë mësim ose dëshirojnë grevë, vendoset në kolektivet e tyre. Nuk kanë pasur presion as nga ne si SBASHK, për të filluar ose për të mos filluar mësimi. Ajo është dëshirë e tyre edhe ata kanë vendosur në atë formë”, ka thënë për RTK-në, Lulzim Thaqi, kryetar i degës së SBASHK-ut në Kamenicë.

Fillimin e dialogut të sotëm të Qeverisë dhe SBASHK-ut në këtë komunë  e shohin si sinjal për zgjidhjen e kësaj situate.


MË SHUME NGA Kosovë