Prishtina do të ritestojë rrugën njëkahore këtë muaj|Video
BKT
Kosovë

Prishtina do të ritestojë rrugën njëkahore këtë muaj|Video

Qendresa Duraku/RTK

Komuna e Prishtinës do të vazhdojë me fazën e dy të testimit për rrugë njëkahore. Nga 16 shtatori ky projekt do të nisë sërish fazën testues por tash në ditët e punës, për të parë se si do të rrjedhë.

Në rrugën “Agim Ramadani” së fundmi janë vendosur sinjalistikat nga komuna për përgatitjet e testimit të radhës të unazës qendrore njëkahore në kryeqytet.

Megjithëse testimet e kaluara u realizuan gjatë fundjavave me trafik të dendur e me pakënaqësi të qytetarëve, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, tha se testimet kanë rezultuar të suksesshme dhe se do të realizohen gjatë ditëve të punës.

“Faza e dytë mendohet të fillojë me testim brenda ditëve të punës, për arsye se duhet me i pas disa informata më konkrete. Këtë muaj kemi javën e mobilitetit, që  përfshin datat 16 deri më 22, e që brenda këtyre jave do të kemi prapë dy ditë testim”, ka theksuar Musliu për RTK-në.

Ai tha se gjatë 2 fazave të kaluara kanë marrë informata të përgjithshme për jetësimin e testimit të radhës.

“Faza e tretë, e fundit, që mendohet të përfundojë deri në fund të vitit, ka të bëjë me atë pjesën me verdiktin final e që më pas duhet të punojmë me specifika termoreferncë të projektit të rrugës njëkahore”, ka shtuar Musliu.

Ndërkaq, qytetarët japin vlerësime të ndryshme sa i përket testimit të radhës.

"Duhet t’i bëjnë unazat përreth Prishtinës njëherë e tani të fillojnë me rrugë njëdrejtimshe", ka thënë Shaqir Shabani, banor i Prishtinës.

E qytetari tjetër Esat Murati ka theksuar se çdo provë është e mirëseardhur. “Besoj se ka me qenë ma mirë se që është tani, më keq s’mundet me qenë", ka theksuar ai.

Ndërkohë, punimet nga Komuna e Prishtinës kanë filluar edhe në rrugën “Nekibe Kelmendi” në drejtim të Pallatit të Drejtësisë. Drejtori i Drejtorisë për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, tha se ky projekt është i një rëndësie të veçantë pasi që lidh këtë pjesë me magjistralen e Gjilanit.

"Rruga ‘Nekibe Kelmendi’ është një ndër rrugët kryesore përveç rrugës A, është një ndër më të rëndësishmet që i kemi për momentin. Kjo lidh Pallatin e Drejtësisë dhe lidh pjesën e rrugëve të Veternikut dhe faza e parë do të punohet dhe do të përmbyllet sivjet. Ndërsa, për vitin 2023, ne, kemi planifikuar vazhdimin e saj tek pjesa e rrugës për Gjilan. Pra ky segment do të përmbyllet për këto 2 vite”, është shprehur për RTK-në, Krenar Xhaferi, drejtor i Drejtorisë për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës.

Rruga “Nekibe Kelmendi” sipas komunës do të bllokohet për 30 ditë përderisa punimet në tërësi të këtij projekti do të zgjasin deri në fund të nëntorit.


MË SHUME NGA Kosovë