Ibrahimi: Komunat zbatuan ligjin me dorëzimin e listave|Video
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në emisionin INFO PLUS të RTK-së ka thënë se komunat e kanë përgjegjësi ligjore që listat e pagave t’i dorëzojnë deri më datën 10 të muajit përkatës.
Ai tha se kjo nuk mund të quhet dorëzim i komunave para nivelit qendror, thjeshtë ky është obligim ligjor që duhet zbatuar.
Ka treguar se nga komunikimet që ka pasur me drejtorët e komunal të financave, shumica absolute e komunave listat i kanë dorëzuar ashtu siç janë dorëzuar edhe në muajin gusht.
“Komunat kurrë nuk janë dorëzuar e as nuk dorëzohen. Komunat do t’i respektojnë ligjet, gjithmonë i kanë respektuar afatet ligjore. Gjithmonë do t’i mbrojnë interesat e tyre të bazuara në ligjet aktuale të Republikës së Kosovës dhe nëse ka ndonjë shkelje nga komunat, është Zyra e Auditorit Kombëtar që vitin e ardhshëm gjatë auditimit mund t’i evidentojë këto shkelje të mundshme. Gjithashtu komunat kanë edhe auditorin e brendshëm dhe komunat e kanë autonominë e plotë financiare sa i përket menaxhimit të financave lokale”, ka thënë Ibrahimi
Ai tha se nëse listat janë dorëzuar me apo pa emrat e grevistëve kjo mund të shihet nga fundi i muajit kur të dalin pagat.
Tutje drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës tha se buxheti i Republikës nuk është i miratuar nga ministrat veç e veç, por nga Kuvendi dhe ato mjete janë të dedikuara për funksionim normal të pushtetit lokal.
“Më duhet të theksoj se komunat i hartojnë listat, niveli qendror e ka obligim vetëm t’i ekzekutojë pagat e jo të përfshihet në hartimin e listave”, tha ai.
Kur foli për thirrjen e ministrit Hekuran Murati për auditim, ai tha se ZKA-ja është institucion i pavarur dhe i përgjigjet vetëm parlamentit. “
“Nëse ZKA bën një veprim me kërkesë të ministrit, atëherë a mund të konsiderohet një institucion i tillë i pavarur?”.
Ibrahimi tha se kryetarët e komunave janë të shqetësuar për mos fillimin e mësimit, por në një nga takimet shqetësim kanë pasur edhe për presionin që qendror ka bërë tek zyrtarët kryesor financiar po edhe te drejtorët e drejtorive përkatëse që të revidohen listat që janë dorëzuar më herët gjatë muajit gusht.
“Në veçanti është përmendur edhe Kodi Penal ku një nën thotë se nëse dikush dëshiron ta prishë grevën apo diçka të tillë mund të ketë gjobë e mund edhe të dënohet me burgim. Pra edhe kjo është përmendur në takim nga kryetarët”, tha ai.
Ibrahimi ka bërë thirrje edhe njëherë që palët të ulen e të dialogojnë për të gjetur zgjidhjen sipas tij nën frymë dialoguese e jo acaruese.
Ka folur edhe për Ligjin për Paga dhe ka treguar se Asociacioni ka dërguar komentet për këtë ligj dhe një nga kërkesat kryesore ka qenë që të hiqet klauzola e cila e përcakton që ligji hyn në fuqi 8 muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.























