Apelohet për mirëmbajtje të Parkut të Pishave|Video
Fatos Cvadiku/RTK
Parku i Pishave në Sllatinë të Fushë Kosovës kohët e fundit është bërë vend atraktiv për t’u vizituar. Por me shtimin e vizitorëve po rritet edhe papastërtia. Qytetarët që e vizitojnë këtë park apelojnë për mirëmbajtje. Shumë prej tyre thonë se janë vetë qytetarët ata që duhet të mos hedhin mbeturina.
“Me siguri për 15 vite e frekuentoj këtë vend. Nuk ka pasur kështu mbeturina po tash, popullata pak ma e madhe e frekuentojnë ma shumë, ulëset i kanë demolua krejt edhe pse janë të betonuara”, thotë qytetari.
Nga ana tjetër, në Komunën e Fushë Kosovës thonë se kanë ekipe të veçanta që e bëjnë mirëmbajtjen e këtij parku, mirëpo sipas tyre, duhet edhe ndërgjegjësim i popullatës.
“Ne kemi dy ekipe, dy herë gjatë javës ekipet tona shkojnë dhe merren me mirëmbajtën e gjithë hapësirës, gjithë territorit atje, dhe mundohen ta mirëmbajnë, por nuk është krejt në përgjegjësinë e komunës dhe të ekipeve tona të cilat merren me këtë mirëmbajtje, sepse realisht duhet të jenë fillimisht qytetarët që i gëzojnë gjithë ato të drejta në atë hapësirë”, tha zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli.
Parku i pishave në Sllatinë është kryesisht më i vizituar gjatë ditëve të fundjavës, atëherë kur qytetarët janë në pushim dhe kanë kohë të dalin për rekreacion, por edhe për të qëndruar në ajër më të pastër.























