Nis mësimi në disa shkolla të komunës së Gjakovës|Video
Islam Haxhiu /RTK
Teksa shumica e shkollave po vazhdojnë grevën, në komunën e Gjakovës disa shkolla kanë nisur mësimin. Ky vendim, sipas drejtorive të këtyre shkollave, është marrë nga Këshillat e mësuesve të shkollave. Ata që më së shumti iu gëzuan rikthimit të mësimit ishin fëmijët.
Pas 11 ditësh pritje për të nisur mësimin, Adea Sadrija i është gëzuar sot uljes në bankat shkollore. Ajo ndjek këtë vit klasën e 4 te në shkollën (emri i shkollës) në Gjakovë.
“E kam pritur shumë mirë fillimin e mësimit sepse unë kam pasur dëshirë me i taku shoqet dhe shokët, edhe na i kemi hupë orët e mësimit dhe kemi pas qef me fillua sa më parë oa e mësimit. Vendimi për nisjen e mësimit sipas drejtoreshës së shkollës erdhi nga Këshilli i mësuesve të shkollës”, tha Adea Sadrija, nxënëese e kl. IV-të.
“Këshilli i mësuesve të shkollës pas diskutimeve që ka pasë ka marrë vendim që të fillohet mësimi i rregullt në shkollën tonë. Qëllimi i vetëm është për të mirën e nxënësve dhe sigurisht edhe unë edhe mësimdhënësit gjithmonë do të qëndrojmë përkrah kërkesave që i parashtrojnë mësimdhënësit, mirëpo duke reflketuar edhe në situatën e përgjithshme në të cilën gjendemi, tha Valma Kamishi - Zeka, drejtoreshë e SHFMU "Këlmend Rizvanolli".
Mësimi poashtu ka filluar edhe në shkollën fillore "Fehmi Agani". Këtu gjatë ditës së sotme mësimi është zhvilluar në ciklin e ulët, ndërsa në grevë vazhdon të mbeten mësimdhënësit e ciklit të lartë përveç një mësueseje.
“Vendimi është marrë nga këshilli i arsimtarëve të ciklit të ulët duke filluar nga klasat para fillore nga klasa e parë deri në të pestën, mirëpo në anën tjetër i kemi arsimtarët e ciklit të lartë pasi që janë në bisedime të tyre dhe besoj që së shpejti do të na bashkohen në mësimin e rregullt dhe shkolla të jetë në procesin mësimor”, tha Miranda Shllaku drejtoreshë e SHMFU "Fehmi Agani".
E për drejtorinë e arsimit në Gjakovë, çdo vendim i shkollave është i mirëseardhur.
“Çdo vendim i shkollave për ne është i mirëpritur . Ne nuk i kemi ftua me hy në grevë dhe as nuk i kemi ftua me dalë nga greva. Ne jemi të gatshëm që nga data 1 shtator”, tha Eranda Kumnova - Baçi.
E në anën tjetër Arben Sufaj përfaqësues i Gëshillit Grevist në komunën e Gjakovës thotë se mësimi është zhvilluar pjesërisht në 4 shkolla të komunës, kryesisht në ciklin e ulët
“4 Shkolla pjesërisht, kryesisht cikli i ulët. Nuk ka ndonjë shkollë që ka fillua komplet. Gjitha shkollat tjera në nivel komune janë ende në grevë, d.m.th. kërkesat tona dihen. Ne dimë që jemi në situatë të palakmueshme nuk kemi dëshirë me i lanë fëmijët në shtëpi mirëpo janë qëndrime të sindikatës që ne i mbështesim”, Arben Sufaj, anëtar i KG në Gjakovë.
Sufaj thotë se qëndrimet e Këshillit grevist janë ato të Sindikatës së Arsimit në nivel vendi prandaj greva do të vazhdoj edhe gjatë ditëve të ardhshme.























