Në përgjithësi, greva vazhdon
BKT
Foto Arkiv/ RTKlive
Kosovë

Në përgjithësi, greva vazhdon

Albana Bajrami / Radio Kosova

Greva në administratë publike dhe arsim po vazhdon, ndërsa ende nuk ka lëvizje për të dalë nga kjo situatë.

Anëtarja e Këshillit Grevist të BSPK-së, Vjollca Shala, tha për Radio Kosovën nuk ka përçarje brenda anëtarësisë dhe se nuk iu bëjnë presion mësimdhënësve, derisa i bëri thirrje qeverisë që të mos vazhdojnë me presione ndaj tyre. Sindikalistët kanë shprehur gatishmërinë që të vazhdojë dialogu me Qeverinë për të dalë nga kjo situatë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura ka deklaruar se greva po vazhdon ende, ndërsa janë duke zhvilluar takime me anëtarësinë për të diskutuar se si do të dilet nga kjo situatë.

Edhe pse në disa shkolla është bërë e ditur se ka filluar procesi mësimor, nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, njëherësh edhe anëtare e Këshillit Grevist, Vjollca Shala, tha për Radio Kosovën, se janë rreth 17 mësimdhënës që kanë ndërpre grevën, ndërsa theksoi se ky numër nuk ka shumë peshë. Ajo tha se nuk ka përçarje brenda anëtarësisë dhe se nuk iu bëjnë presion mësimdhënësve, derisa i bëri thirrje qeverisë që të mos vazhdojnë me presione ndaj tyre.

“Deri në këto momente nuk ka përçarje. Të gjithë punëtorët e arsimit, që nga çerdhet e deri në Universitet i kemi në grevë dhe nuk ka përçarje, me përjashtim të atyre rreth 17 mësimdhënësve, që janë duke punuar e që është një numër jashtëzakonisht i vogël. Ne nuk iu bëjmë preson punëtorëve të arsimit që të jenë në grevë, dhe kërkojmë edhe nga Qeveria, që mos të bëjë presion dhe të mos përdor shantazhe të ndryshme, me qëllim që të frikësojnë mësimdhënësit për të filluar punën”, tha ajo.

Shala, tha se qeveria ende nuk ka bërë asnjë hap me qëllim të ndërprerjes së grevës dhe fillimit të procesit mësimor. Ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të vij në Kosovë edhe drejtorja e Sindikatave të Evropës, që sipas saj do të takohet edhe me përfaqësues të Qeverisë.

 “Jemi të gatshëm 24 orë që ët dialogojmë me Qeverinë me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të përbashkët. Në shpresojmë që brenda kësaj jave ose javën e ardhshme, në Kosovë do të vijë drejtorja e Sindikatave Evropiane, e cila do të na vizitojë neve dhe në të njëjtën kohë ka bërë kërkesë që të takohet edhe me kryeministrin, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje”, th ajo.

Ndërkohë, në shumë shkolla të vendit ka filluar edhe shpërndarja e librave, ndërsa Këshilli i Prindërve iu ka bërë thirrje prindërve që të punojnë me fëmijët në shtëpi. Por, prindërit që kanë fëmijët në institucionet parashkollore, kanë vështirësi në marrëdhëniet e tyre të punës. Ndërsa, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare, i ka dërguar Qeverisë së Kosovës kërkesën, që në kuadër të dialogut për fillimin e mësimit të përfshihen të gjitha palët, sidomos fëmijët dhe prindërit, të cilët sipas tyre janë të dëmtuar drejtpërdrejtë nga ndërprerja e mësimit.


MË SHUME NGA Kosovë