Sondazh: Debat mes komentuesve të RTKlive se kush ka të drejtë për grevat
Jeton Musliu/RTKlive
Greva në arsim dhe administratën publike, edhe më tej vazhdon. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj deklaroi sot se situata do të mbetet e tillë, për aq kohë sa nuk reflekton qeveria.
Sidoqoftë, Jasharaj i cili mbetet një nga personazhet më të njohura në vend, sa herë që organizohen greva, për mendimin e shumë qytetarëve, është ai që ka të drejtë, ndonëse edhe shumë të tjerë, e mendojnë të kundërtën.
Për të parë më shumë se cili është opinioni i qytetarëve, RTKlive, ka publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, një sondazh me pyetjen se; “Kush mendoni se ka të drejtë për grevat?”
Bazuar në opinionet e më shumë se 150 komentuese, rezulton se kosovarët janë shumë të ndarë rreth asaj se kujt duhet dhënë të drejtë për situatën aktuale me greva.

Jahi Veseli, lexues i RTKlive. Ka shkruar në komentin e tij, se duhet bazuar në ligj e në Kushtetutë.
“Pra, të dyja i japin të drejtë Rrahman Jasharajt. Pra është e drejtë që të kërkosh ngritjen e pagave, kur çdo artikull është ngritur 100%”, thotë Veseli në komentin e tij.
“Kryeministri i Kosovës është shumë gabim, por edhe mban përgjegjësi për nxënësit që po humbin orë mësimi”, thotë ky lexues i RTKlive.
Por jo të gjithë kanë këtë mendim. Lexuesi Zenel Bega beson se gabim në këtë rast është sindikata. “Nuk lejohet manipulimi me nxënës dhe Jasharaj duhet të turpërohet”, thotë Bega në komentin e tij.

“Pse nuk po thërret një protestë me mësimdhënës në një ditë vikendi?”, pyet ky lexues. “Ai e di mirë se një pakicë do t’i përgjigjeshin”.
E ka të tjerë që përgjegjësinë për situatën aktuale në arsim, e shohin diku tjetër, sikurse lexuesi Rexhep Rexha. “...Qeveritë e kaluara kanë faj, PDK, LDk e AAK”, thotë ai.
“Bravo Bini (Albin Kurti v.j), sepse janë mësuar këta të hanë e hajni, prandaj hiç mos i tolero”, shkruan në koment Rexha.

Numri i komenteve në këtë sondazh të RTKlive, në faqen zyrtare në Facebook, vazhdon të shtohet, ndërkohë që opinionet mbesin të ndara se kush ka të drejtë për grevën.
Ndërkohë, greva edhe më tej vazhdon dhe rezultat nuk është arritur as të enjten, pas takimit të Këshillit grevist me kryeministrin Albin Kurti.
Ende nuk është paralajmëruar ndonjë takim i dytë, por kryeministri kurti ka thënë se ka lëvizur së paku dhjetë herë me vendimet e tij, në përpjekje për të plotësuar kushtet e kërkuara nga sindikatat.
Në anën tjetër, sindikatat kanë thënë se do të flasin me anëtarësinë dhe konform me vendimin e saj, do të vendosin për grevën, ndonëse nuk kanë dhënë shumë shenja të optimizmit.
Greva në arsim dhe administratë publike ka filluar me 25 gusht dhe tashmë në disa shkolla në vend, përkundër thirrjes së SBASHK-ut për grevë, tashmë mësimi ka filluar, siç është rasti në disa shkolla të Kamenicës e Gjakovës.
























