Grevës nuk i shihet fundi| Video
Qendresa Duraku/ RTK
Greva në arsim ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme pa ndonjë indikacion se ajo mund të përfundoj. Sindikatat vazhdojnë të kërkojnë nga Qeveria 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat, e nga Ministria e Arsimit kërkojnë fillimin e mësimit pasi Ligji për pagat tashmë është në diskutim publik.
Oborri i shkollës fillore të mesme të ulët “Ismajl Qemali” në Prishtinë edhe këtë premte ishte pa prezencën e nxënësve, shkak i grevës së përgjithshme që ka filluar tash e sa kohë në gjithë sistemin e arsimor.
Se deri kur do të vazhdoj kjo sagë ende nuk dihet, pasi nga Sindikata e Arsimit bëjnë të ditur se greva do të vazhdoj deri në momentin që Qeveria e Kosovës t’i plotësoj kërkesat e tyre. Kryeministri Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit, kërkesat e sindikatës së arsimit i quajti të shantazhuara dhe partikulare.
"Nuk kemi pritur që kryeministri në mënyrë zyrtare dhe aq publike të na injoron kërkesën tonë dhe të mësimdhënësve”, tha për RTK, Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Grevist të SBASHK-ut
“Përballje me inflacion po ama kërcënim dhe shantazh se i dua çdo muaj kaq para derisa të kalon projektligji, kështu nuk bën”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Nga SBASHK-u bëjnë të ditur se në Kosovë pritet të qëndroj, drejtoresha e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flocken, për siç thonë për zgjidhjen e situatës,
Në anën tjetër, Këshilli i Prindërve deklaron që hapja e shkollave do të duhej të merrej seriozisht, meqë numri i nxënësve që po çregjistrohen nga shkollat publike sa vjen e rritet.
"Këto ditë kemi raportime për çregjistrim të madh të numrit të fëmijëve nga shkollat publike dhe shifrat na thonë se çdo vit dhjetëra mijë nxënës largohen ose janë më pak në shkollat tona”, tha Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, me anë të një postimi në Facebook, ka kërkuar nga të gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të mirëkuptojnë situatën dhe të fillojnë mësimin, tashmë kur ata dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga Pakoja e ndihmave financiare.
Nagavci ka shkruar se në Projektligjin për paga i cili ka dalë në debat publik, janë marrë për bazë të gjitha kërkesat, duke u trajtuar me kujdes të veçantë të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit.























