23 vjet RTK-financimi dhe prona, sfidat më të mëdha të Transmetuesit Publik
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

23 vjet RTK-financimi dhe prona, sfidat më të mëdha të Transmetuesit Publik

Jeton Musliu/RTKlive

Shumë të arritura, por edhe shumë probleme e kanë përcjellë RTK-në, që nga themelimi i saj, 23 vjet më parë. Me pajisje të dhuruara në fillim nga Japonia, vetëm tre muaj pas çlirimit, me 19 shtator 1999, filloi të funksionojë RTK. Sigurisht, në fillim vetëm me dy orë program kurse katër vite më vonë, me 24 orë transmetim.

Formalisht, RTK në sytë e publikut shihej dhe shihet si pasardhëse e ish RTP-së, por juridikisht nuk ishte dhe vazhdon të mos jetë e tillë.

E kjo situatë, është e njëjtë edhe sot, duke bërë që RTK të mos ketë as seli të vetën.

Në këtë 23 vjetor, Shkumbin Ahmetxhekaj, Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së, tregon se në këta tetë muaj që është në këtë detyrë, janë bërë disa ndryshime pozitive.

Megjithatë, ai rikujton se problemet e mëdha me të cilat përballet transmetuesi publik, kërkojnë kohë dhe angazhim të të gjithëve.

“Asnjëherë nuk e kam parë RTK-në nga pozicioni të cilin e kam tash, duke i ditur tani problemet me të cilat përballet”, thotë Ahmetxhekaj, në një intervistë për RTK-në.

Ahmetxhekaj, i cili ka rreth 15 vjet që është pjesë e RTK-së, konsideron se se një nga mangësitë me të cilat ballafaqohet tash për tash kjo shtëpi mediale, është  burimi i sigurt i financimit.

“Pra, RTK ka një buxhet i cili për vite të tëra, është bërë në mënyrë paushalle, e pa studim të thellë të nevojave se çfarë ka RTK”, thotë Ahmetxhekaj.

Sipas tij, pavarësisht reformave të ndryshimeve që janë bërë në tetë muajt sa është në krye të RTK-së, e ku sipas tij,  janë  bërë kursime jashtëzakonisht të mëdha, nuk beson se do të mund të funksiononte në këtë fazë, siç është duke funksionuar.

“Ne jemi duke u përballë me çështje ekzistenciale. Në këtë pozitë që jemi, nuk mund ta zbatojmë as ligjin për RTK-në, sepse e kemi të pamundur të kemi edhe produkte nga jashtë”, shpjegon Ahmetxhekaj, sipas të cilit, -“buxheti ka qenë shumë i limituar”.

Sidoqoftë, Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, i cili para se të zgjidhët në këtë detyrë, ka punuar si gazetar e pastaj redaktor lajmesh, shpjegon se në buxhetin e vitit 2023, do të ketë ndryshime.

“Ajo çfarë jemi kujdesur shumë gjatë kësaj  kohe është që të sigurohemi që në buxhetin për vitin 2023, të kemi fonde të mjaftueshme për të çuar përpara projektet zhvillimore, infrastrukturore dhe  programore”.

Ahmetxhekaj është i bindur se një kompani nuk mund të funksionojë, ku  90% e buxhetit shkon për paga të punëtorëve.

“Nuk besoj se ka ndonjë model të tillë në botë që funksionon”.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së rikujton se ky medium, nuk është  organizatë komunale dhe e  thjeshtë buxhetore, por një shtëpi mediale e cila ka nevojë të ketë fonde të mjaftueshme, që të ofrojë cilësi programore për shikuesit.

“Sa i përket problemeve që janë identifikuar gjatë tetë muajve të fundit, sigurisht se financimi është një nga çështjet kryesore, por po ashtu është edhe çështja e pronës”, thotë Ahmetxhekaj, probleme që në fakt e kanë përcjellë në vazhdimësi RTK-në.

“Ne kemi arritur të bëjmë disa ndryshime të vogla si fuzionimi i RTK3 me RTK1, për të pasur ambiente më normale të punës si dhe studio të reja”, thotë ai.

“Sidoqoftë, këto janë investime të përkohshme sepse synojmë që ta zgjidhim një herë e përgjithmonë çështjen e  pronës”.

Ahmetxhekaj tregon se RTK ka themeluar një grup të punues para tre muajsh e gjysmë, që kanë përgatitur një draft dokument, se si mund të zgjidhet çështja e pronës.

“Ky dokument është dërguar për diskutim në Bord dhe shpresoj që Kuvendi i Kosovës të mund ta marrë seriozisht”. Ai tregon se janë ofruar alternativa  se si mund të jetë kjo.

“Me qenë se është  në fazën e diskutimit, ndoshta  nuk mund të flas gjerësisht për detajet sepse është  një dokument konfidencial”, sqaron ai.

“Por ajo që mund të them, RTK është rasti i vetëm në ish- Jugosllavi, që prona e televizionit publik shtetëror në atë kohë (në këtë rast RTP v.j), nuk është trashëguar sikurse që ka ndodhur me  qendrat rajonale të Sarajevës, Shkupit, Podgoricës, etj”.

Ahmetxhekaj rikujton se është një gabim që ka ndodhur në atë kohë dhe i cili nuk është përmirësuar as në vitin 2008, kur vendi ka shpallur  pavarësinë -“e që ndoshta ka mundur që RTK të bëhet trashëgimtare e RTP-së”.

Ai shpjegon përpjekjet që po bëhen për të gjetur zgjidhje që RTK të bëhet me pronë.

“Duke qenë në këtë fazë, kemi studiuar se çfarë ka ndodhur në kohën kur është themeluar RTP, mbi çfarë baze, objektet e RTP mbi çfarë baze janë ndërtuar dhe a mundet që të shërbejë ajo si bazë që të kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që të përmirësojmë diçka që nuk është bërë në vitin 1999”.

 “Është një dokument shumë serioz që tashmë është  dërguar në Kuved dhe paralelisht”, siguron Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së.

Duke folur për një projekt tjetër të RTK-së të para disa viteve, e që ishte ndarja e më pas ndërtimi i një objekti afër Pallatit të Drejtësisë, Ahmetxhekaj shpjegon se nga pozita e Drejtorit Gjeneral, e ka parë atë plan.

“Por, shikuesit duhet ta dinë një fakt se ky projekt nuk është trajtuar fare nga ish menaxhmenti paraprak, i cili që ka qenë për tri vite (projekti është hartuar nga menaxhmenti i parafundit v.j), që do të thotë se edhe nëse duam të bëjmë diçka me atë projekt, duhet të nisim të gjithin nga fillimi”.

Në këtë rast, Ahmetxhekaj shpreh edhe dyshimet e tij,

“Për mua ka shumë paqartësi në atë projekt, kam dyshime të ndryshme. Pra nuk është se kemi qartësi të mjaftueshme që të procedojmë më të tutje, prandaj jemi duke shkuar për alternativa të tjera”.

Sidoqoftë, Ahmetxhekaj rikujton se në fund të fundit, është Bordi i RTK-së që vendos se me cilin version do të shkojë e të bëjë kërkesë në Kuvend, e që pastaj do të jetë përgjegjësi e Kuvendit që një herë e përgjithmonë të zgjidhë çështjen e pronës.

“Siç e dini, RTK nuk ka seli. Për momentin ne jemi në objekte që janë të kontestuara për shkak të pronësisë”.


MË SHUME NGA Kosovë