SBAShK-u vazhdon grevën, Këshilli i Prindërve kërkon zgjidhje
BKT
Foto Arkiv/ RTKlive
Kosovë

SBAShK-u vazhdon grevën, Këshilli i Prindërve kërkon zgjidhje

Albana Bajrami/Radio Kosova

As sot nuk ka filluar procesi mësimor, ndërsa në disa shkolla të vendit disa mësimdhënës kanë filluar mësimin. Ndërkohë, sindikatat janë të vendosura të vazhdojnë grevën derisa të gjendet një kompromis ndërmjet qeverisë dhe sindikalistëve. Ndërsa, shumë prej prindërve kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën, se vazhdimisht janë angazhuar për të gjetur një zgjidhje, por pa e tensionuar situatën.

Procesi mësimor në disa shkolla të vendit ka filluar me iniciativë individuale të disa mësimdhënësve. Por, greva ka vazhduar në të gjithë sistemin arsimor dhe administratë publike. Sindikata e Arsimit, ka vazhduar me takimet e rregullta konsultative me kryetarët e niveleve komunale sindikale dhe të universiteteve për ta analizuar situatën aktuale dhe për t'u konsultuar se si do të veprohet më tutje. Sipas njoftimit të Sindikatës, edhe njëherë ka kritikuar qëndrimin e qeverisë karshi kërkesave të tyre dhe vlerësojnë se qeveria nuk po bën asnjë angazhim serioz për realizimin e kërkesave të grevistëve, respektivisht negocimin e tyre. “Përveç kësaj, qeveria vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve”, thuhet në njoftimin e Sindikatës. 

Ndërkohë, shumë prej prindërve kanë reaguar në mënyra të ndryshme, ku disa kanë paralajmëruar protestë, e disa kanë deklaruar se do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën se vazhdimisht janë angazhuar për të gjetur një zgjidhje, por pa e tensionuar situatën.

“Ne i mirëkuptojmë edhe pakënaqësitë e mëdha dhe dëshirën që kanë që fëmijët e tyre të kthehen në shkollë, ndërsa kjo gjendje do të duhet të mbyllet sa më parë. Ne i mbështesim aktivitetet e organizuara nga prindërit, por që gjatë gjithë kohës duhet të përmbahen nga tensionimi i situatës dhe vetëm të promovojnë nevojën për të kthyer sa më shpejt fëmijët në shkolla”, deklaroi Demi.

Demi theksoi se u kanë bërë thirrje të vazhdueshme institucioneve që sa më shpejt të veprojnë për të dalë nga kjo situatë.

“U kemi bërë thirrje edhe javën e kaluar që të angazhohen të gjitha institucionet e Kosovës, që nga presidenca, Kuvendi, Qeveria e Avokati i Popullit. Kemi pasur disa angazhime duke iu drejtuar edhe Avokatit të Popullit, por nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Ne si Këshill i Prindërve, nuk kemi mundësi të shtyrjes së presionit apo ofrimit të zgjidhjeve, të cilat do të çonin në kthimin e fëmijëve në shkollë, pa ndonjë mundësi të tensionimit të situatës”, shtoi ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sërish u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të dalin nga greva dhe të nisë mësimi nëpër shkolla. Përmes postimeve të saj në facebook, ajo ka thënë se kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor.

 


MË SHUME NGA Kosovë