Haxhiu: Terrorizmi, dukuri që kishte përfshirë edhe Kosovën
BKT
Foto: Arlinda Sejda/ RTK
Kosovë

Haxhiu: Terrorizmi, dukuri që kishte përfshirë edhe Kosovën

Arlinda Sejda/ RTK, Kimete Kasumi/ RTKlive

Misioni i OSBE-së ka paraqitur raportin për mënyrën se si trajtohen rastet e terrorizmit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Raporti i OSBE-së “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale të Kosovës” mbulon periudhën 2018-2020 dhe shqyrton të dhënat e mbledhura nga ekipi monitorues i OSBE-së për seanca gjyqësore në më shumë se 50 raste të kategorizuara si vepra penale të terrorizmit ose në lidhje me terrorizëm. Raporti gjithashtu ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kornizës ligjore për rastet e terrorizmit dhe vlerëson shkallën në të cilën ligji dhe politika e Kosovës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Raporti synon të mbështesë praktikuesit ligjorë për të ruajtur standardet më të larta të profesionalizmit në këtë fushë sfiduese të ligjit dhe politikës.

Në këtë konferencë, ndër të tjera, u theksua se numri i shtetasve të Kosovës që u bashkuan në Irak e më pas Siri, kishte arritur shifra shqetësuese në periudhen kohore 2012- 2016, ku 355 persona, prej tyre 257 meshkuj, 52 gra dhe 46 fëmijë.

Në këtë publikim të raportit e pranishme ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe shefi i Zyrës së OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Davenport tregoi për punën që bënë zyra e OSBE-së.

“Ne mbledhim të dhëna, me fokus të veçantë për rastet e terrorizmit. Këto të dhëna i shfrytëzojmë për të bërë analiza dhe për të dhënë konkluzione", deklaroi ai.

“Hetimi energjik, ndjekja energjike, duhen të jenë një hap me të. Dëshiroj të vlerësoj punën e zellshme që kanë bërë të gjithë, prokurorët, gjyqtarët e të tjerët, që kanë dhënë kontribut në këtë raport. Paraburgimi, mbrojtja, cilësia e aktakuzave mund të përmirësohen në disa fusha”, tha Davenport.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dukuria e terrorizimit e “ka përfshirë edhe Kosovën”.

Ndërsa anëtari i Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGjK), Vilard Bytyqi, tha se në vitin 2020/21 janë zgjidhur 24 lëndë të kësaj fushe, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë zgjidhur 8 të tilla.

E prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, tha se falë punës së institucioneve kanë arritur t’i parandalojnë sulmet terroriste.

 


MË SHUME NGA Kosovë