Sot pritet marrëveshje SBAShK - Qeveri?
Albana Bajrami/ Radio Kosova
As sot nuk ka filluar procesi mësimor, edhe pas thirrjes së Këshillit të Prindërve dhe reagimeve të shumta pas grevës se shpallur javë më parë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ndërkohë, sipas Avokatit të Popullit, pritet që sot të arrihet një marrëveshje ndërmjet sindikalistëve dhe qeverisë. Ndërkohë, Sindikata e Arsimit ka njoftuar se vetëm 0.4 për qind e mësimdhënësve nuk janë përfshirë në grevë.
Greva e përgjithshme në arsim dhe administratë ka hyrë në javën e katërt dhe sindikatat kanë deklaruar se do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. Ndërkohë, bëhet e ditur se sot mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet sindikalistëve dhe qeverisë. Këtë e ka bërë të ditur Avokati i Popullit, i cili ditë më parë reagoi pasi Qeveria dhe Këshilli Grevist nuk u dakorduan për një zgjidhje, në mënyrë që të mos dëmtohen fëmijët. Për këtë, Radio Kosova ka bërë përpjekje të marrë përgjigje nga sindikatat, por ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse janë afër marrëveshjes apo jo.
Avokati i Popullit, ditëve të fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të sindikatave dhe të Qeverisë në përpjekje për të ndihmuar në daljen nga kjo situatë. Përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e tij, si ndërmjetësues, nuk është arritur një marrëveshje ndërmjet palëve. Por, në shkresën e fundit që ai ka marrë nga sindikatat, sipas tij, palët janë përafruar për një marrëveshje gjatë ditës së sotme. Sipas njoftimit, BSPK-ja ka kërkuar që rritja e pagës nga shtatori të jetë për 9.5 për qind dhe shtesa prej 50 eurove të jepet deri në dhjetor, kurse nga muaji janari i vitit 2023, të ketë rritje të pagës aq sa ka rritje ekonomike. BSPK-ja kërkoi që të merren parasysh edhe vërejtjet e sindikatave mbi Ligjin e Pagave si dhe në Ligjin e Zyrtarëve Publikë, thuhet në kërkesat e parashtruara nga BSPK-ja për Avokatin e Popullit.
Sindikata e Arsimit ka njoftuar se kërkesat pritet të realizohen me ndërmjetësimin e Avokatit, duke përfshirë edhe ndërmjetësimin e drejtores së Unionit të Sindikatave Evropiane të Arsimit, Susan Flocken. Takimi i Flocken me kryeministrin, sipas SBASHK-ut, pritet të zhvillohet të mërkurën.
Ndërkohë, Sindikata e Arsimit, ka njoftuar se nga 22 mijë e 585 mësimdhënës, vetëm 0.4 për qind prej tyre nuk janë përfshirë në grevën e përgjithshme. Pra, rreth 90 mësimdhënës kanë ndërprerë grevën në disa shkolla apo në 1.5 për qind të shkollave në nivel vendi.























