IPK pjesë e konferencës së Shoqatës së Hetimeve të Brendshme në Florida
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

IPK pjesë e konferencës së Shoqatës së Hetimeve të Brendshme në Florida

Emine Hoti /RTKlive

Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj me bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të ICITAP-it amerikan në Kosovë po marrin pjesë në konferencën profesionale të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA) në Clearwater në Florida të SHBA-ve.

Sipas njoftimit, delegacioni i IPK-së u mirëprit nga Kryetari i bordit Kapiten Chris Ray dhe zyrtarë tjerë të delegacioneve pjesëmarrëse, me të cilët po diskutohet për sfidat e mbikëqyrjes policore dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave nga agjencitë homologe.

“Konferenca po zhvillohet nga data 17 deri 23 Shtator 2022, ku ndër tjera po diskutohet për rëndësinë e integritetit të zyrtarëve policorë,  metodat e hetimit dhe luftimit të rasteve të keqpërdorimit të detyrës, përdorimit të forcës, përdorimi i rrjeteve sociale, si dhe trendet në hetimet e brendshme dhe mbikëqyrjen e organeve të zbatimit të ligjit”, njofton IPK.

Bëhet e ditur se NIAIA është organizatë në kuadër të së cilës bëjnë pjesë mekanizmat mbikëqyrëse të policive në SHBA.

“Kosova përmes IPK-së nga viti i kaluar është anëtare e barabartë e kësaj organizate si shtet i parë Evropian krahas Agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA.

IPK vazhdon të përkrahet fuqishëm nga Departamenti i Shtetit dhe Ambasada Amerikane, ku përmes INL dhe ICITAP-it po kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të IPK-së, duke përfshirë edhe realizimin e pjesëmarrjes së rregullt në punimet e konferencës”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Kosovë