Avokati i Popullit: Urgjente ndalja e grevës
RTKlive
Në një njoftim për media Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka bërë me dije se në kuadër të angazhimit si ndërmjetësues mes palëve për zgjidhjen e situatës së krijuar për shkak të grevës në arsim thirrur nga SBAShK-u, e me qëllim të njoftimit të opinionit publik dhe interesimit të mediave, njofton se sot ka pranuar letër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) dhe tanimë të gjitha palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre për daljen nga kjo situatë.
“Me qëllim që të arrihet marrëveshja, Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje në të cilën ka propozuar një zgjidhje të mundshme, si zgjidhje e balancuar mbi bazën e qëndrimeve që palët kanë prezantuar, e njëkohësisht me kujdes janë paraqitur qëndrime që mund të sjellin konsensus. Avokati i Popullit njofton se edhe më tej do të angazhohet për të përafruar palët në marrëveshje, duke ripërsëritur se është urgjente gjetja e një zgjidhjeje, që do të jetë në interes për të gjithë, e në veçanti për fëmijët”, thuhet në njoftim.
Në pritje të përgjigjeve nga palët, Avokati i Popullit do të mbaj të informuar publikun.























