Greva në arsim, temë diskutimi e Komisionit për Arsim dhe SBAShK-ut
Foto: Donika Sherifi/ RTK
Kosovë

Greva në arsim, temë diskutimi e Komisionit për Arsim dhe SBAShK-ut

Donika Sherifi/ RTK, Kimete Kasumi/ RTKlive

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport sot është duke diskutuar me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBAShK-ut) lidhur me grevën në arsim.

Ardian Gola, kryetar i komisionit, tha se SBAShK-u është palë jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Ndryshe prej klisheve që SBAShK s’ka të bëjë me arsimin, mendoj se ka të bëjë dhe është palë jashtëzakonisht e rëndësishme në arsim. Nuk ka të drejtë më jetike e më të rëndësishme për shoqërinë sesa të ruhen autoriteti dhe integriteti moral i mësimdhënësve. Nëse ky autoritet rrënohet, atëherë rrënohet shoqëria. Në këtë kontekst e konsideroj takimin me ju shumë të rëndësishëm dhe mendoj që secili prej nesh ndan hallet e njëjta për mësimin në mënyrë që ta tejkalojmë gjendjen dhe të punojmë për rritjen e cilësisë. Ne menduam të vijmë në SBAShK, po ishte më e përshtatshme të vini ju këtu dhe të flasim për çështjet dhe shqetësimet ne arsim”, shtoi Gola.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Kurse Rrahman Jasharaj, kryetari i SBAShK-ut, u ankua se ditët e fundit është bërë përpjekje të njolloset veprimtaria e tij dhe se takimet me institucionet nuk do t’i mbajë më pa praninë e medieve.

“Takimet me institucionet nuk do t’i mbajmë më pa medie sepse ato tregojnë çfarë flitet. Më në fund u takuam me ju deputetë dhe jam këtu me Këshillin Grevist të SBAShK-ut të cilit ia kanë dhënë besimin mijëra mësimdhënës. Në mesin e tyre që sot po shahen jam edhe unë, që në vitet ’80 punuam shumë. U tentua që Rrahman Jashari të shpallet tradhtar i vendit e që tëre jetën e vet ia kushtoi arsimit. Prej atyre tentimeve nuk u distancua asnjë deputet i opozitës, as kryeministri. Uroj të kenë atmosferë në familje siç e kam unë”, tha Jasharaj.

Gjithashtu, ai bëri me dije se ka dërguar disa letra në qeveri për takim, por atyre nuk u është përgjigjur askush.

“82 letra i kemi dërguar për situatën në arsim. Këtë gjendje nuk e sollëm ne, por qeveria me injorancën që po na bën. Kjo ishte tendencë që të shuheshin sindikatat. Ne s’kemi kërkuar gjëra që nuk mund të bëhen. S’ka qenë kërkesa jonë fillestare ajo për 100 euro. Ajo është deformuar. Më 30 nëntor 2021 mezi na takuan Sfeçla e Nagavci e na thanë mos e thoni asnjë fjalë për greva në dhjetor, sepse ju premtojmë që në mars fillon diskutimi me sindikata për Ligjin e Pagave. Erdhi marsi. Çfarë ndodhi? As në shkurt, as në prill, as kurrë nuk ishim pjesë e procesit të përgatitjes të këtij ligji që është fundament për sektorin e arsimit”, shtoi ai.

Ndërkaq anëtarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj, theksoi se ka kërkuar që të mos përfundojë sesioni pranveror pa u zgjidhur kjo çështje.

“Do të doja që ky takim të kishte ndodhur në fillim të gushtit, sepse për mua ka rëndësi takimi i drejtpërdrejtë për t’i kuptuar kërkesat tuaja. Meqë nuk u realizua, e kam përdorur foltoren e Kuvendit dhe kam kërkuar që mos të përfundojë sesioni pranveror pa e zgjidhur këtë çështje. Fëmijët tanë po vuajnë pasojat e gjithë kësaj. Tani jemi ku jemi e mirë që ndodhi ky takim, sepse tani është një rrezik tjetër, mos po e rrezikojmë vitin shkollor. Këto humbjet e fëmijëve mund t’i rrezikojnë, mos të arrihen objektivat shkollore e pasojat i dimë të gjithë. Greva ka shkuar aq larg saqë është ftuar një përfaqësuese e sindikatave evropiane e që s’do të doja të ndodhte kjo. Kaq vite pas të presim një përfaqësuese të vijë të na zgjidhë problemet, për mua është fyese”, tha Reshitaj.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, tha se më e mira do të ishte që fëmijët të kthehen sot në shkollë.

“A ka mundësi ju lutem t’i ndërpresim sot grevat e t’i kthejmë fëmijët në shkolla. Paradite ka kaluar koha, por pasdite të kthehen nxënësit në shkolla. Të përulem që ta ndërpresim sot grevën. Kjo është lutja ime serioze. Do të gjejmë modalitetin sepse ka zgjidhje”, shtoi Kokaj.

Ndërsa kryetari Jasharaj iu përgjigj: “Në opinion po del se janë 3-4 njerëz që po bëjnë grevë. Jemi të kërcënuar edhe jashtë. Grevën e kemi shpallur sipas anëtarësisë. Kemi nënshkrime. Po harroni se arsimi e mbajti gjallë ëndrrën për të ardhmen. Grevën në arsim ne vetëm e kemi shpallur duke u bazuar në kërkesat e anëtarësisë. Qeveria është ajo që e mbyll grevën duke i dëgjuar sindikatat. Unë nuk fsheh asgjë nga ajo që them, pastaj kjo edhe po më kushton. Për shkak të fyerjeve dhe lojërave, besimi ndaj qeverisë është zero. Nëntë muaj asnjë lëvizje. Ky komision parlamentar ka mundur të takohet me ne që tre muaj. Qeveria e ka ditur se do të ketë grevë. Sa të thotë anëtarësia do  të  ketë grevë. Fajtorë janë Kurti, Nagavci dhe Murati. Kur të shkoni në Kuvend flisni pak me deputetët tuaj, e nëse ka nxënës dhe mësues analfabetë, mbyllini shkollat”.

 


MË SHUME NGA Kosovë